“Kosovës i dhamë 2 milionë $”, Trump flet për fondet e USAID për ashkalitë e egjiptianët –

2 Min Read

Trump përmend Kosovën për herë të parë pas betimit si President. Lideri amerikan megjithatë iu referua vetëm si një nga vendet që ka marrë fonde nga USAID, të cilat administrata e tij tashmë po i vlerëson si shpenzime të pajustifikuara apo shpërdorim të buxhetit.

Në konferencën e mbajtur në Florida, Trump theksoi se dy milionë dollarë nga USAID-i në Kosovë janë dedikuar për zhvillimin e “modeleve të qëndrueshme të riciklimit” që synojnë “rritje të kohezionit socio-ekonomik” në vend.

“2 milionë dollarë për zhvillimin e modeleve të qëndrueshme të riciklimit për të rritur kohezionin socio-ekonomik në mesin e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, si romët, ashkalitë dhe egjiptianët”, tha Donald Trump.

Gjatë fjalës së tij, Trump përmendi edhe Serbinë, e cila ka marrë 14 milionë dollarë për përmirësimin e prokurimeve publike. Lista e gjatë e Donald Trump përfshinte një numër vendesh të cilat kanë përfituar para nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me marrjen e detyrës, Presidenti Trump urdhëroi një pauzë 90-ditore të ndihmës për zhvillimin e huaj, duke bërë thirrje për verifikimin e efektivitetit dhe konsistencës së saj me politikën e jashtme.

“Të gjithë drejtuesit e departamenteve dhe agjencive përgjegjëse për programet amerikane të ndihmës së huaj zhvillimore duhet të ndalojnë menjëherë angazhimet dhe pagesat e fondeve të ndihmës për zhvillim”, thuhet në vendimin e Trump.

Një zëdhënës i USAID tha për mediat ndërkombëtare pak ditë më parë se të gjitha programet dhe grantet pa masa përjashtuese ishin pezulluar.

Share This Article
Leave a Comment