Nëna e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, është paraqitur në SPAK paraditen e sotme.
Mësohet se Valbona Xoxa do të merret në pyetje në lidhje me transaksionet e “Ava studio” dhe blerjet online nga karta e saj bankare.
Valbona Xoxa rezulton pronare e disa pasurive të paluajtshme dhe administratore e disa kompanive që pornar “de facto” dyshohet se kanë Ajola Xoxa. Kjo e fundit, shumë blerje online me fatura “të kripura”, i ka bërë në emër të nënës së saj, Valbona Xoxa.
Ajo pritet të pyetet edhe në lidhje me transaksionet me kompanitë e së bijës, bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj dhe për vilën në Qerret.
Hetimet dhe verifikimet e pasurive të deklaruara nga Erion Veliaj dhe familjarët e tij, duke përfshirë Ajola Xoxën, Arbër Veliajn, Valbona Xoxën dhe Shqiponjë Veliaj, kanë identifikuar disa pasuri të patundshme në emër të këtyre individëve, duke përfshirë apartamente dhe vila në Tiranë, Kavajë dhe Fier.
Po ashtu nga hetimet është zbuluar se Veliaj i ka dhënë leje për një pallat familjes së gruas.
Po sot, biznesmeni Gentian Sula është paraqitur në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë.
Gentjan Sula dhe Erion Veliaj njihen që nga viti 2004 dhe kanë bërë të paktën 3 udhëtime me charter jashtë vendit. Po ashtu, rezulton se kur Erjon Veliaj ishte ministër i Punës, ka punësuar bashkëshorten e Gentjan Sulës si zv.ministre.