Ankimimi i Ajola Xoxës për sekuestrimin e telefonit, gjyqtarja Ilirjana Olldashi tërhiqet nga çështja

3 Min Read

Ilirjana Olldashi nuk do të jetë gjyqtarja e cila do të shqyrtojë çështjen e ankimimit të Ajola Xoxës lidhur me sekuestrimin e telefonit të saj personal si dhe dokumenteve të “Partners Law”.

Përmes një njoftimi zyrtar Apeli i GJKKO-së bën me dije se Olldashi është tërhequr përkohësisht nga çështja për arsye të paaftësisë në punë, ndërsa shqyrtimi do të bëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

“Duke qenë se, gjyqtare Iliriana Olldashi ka paraqitur aktin ‘Raport për paaftësinë e përkohshme në punë’, çështja nr. 53, datë 12.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “*” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kundërshtimin e vendimit për sekuestrimin e sendeve”, sipas disponimit nr. 01 Prot., datë 06.01.2025 të Zëvendëskryetarit të gjykatës “Lista vjetore e miratuar që përcakton gjyqtarët për gjykimet e rasteve urgjente”, i kaloi per gjykim trupit gjykues monokratik pasardhës, gjyqtarit Engert Pëllumbi”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se mëngjesin e 6 dhjetorit, rreth orës 08:00, agjentët e BKH-së shkuan në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj ku dhe sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.

Pas kontrolleve në shtëpi, agjentët e BKH-së të shoqëruar nga Ajola Xoxa u zhvendosën në ambientet e galerisë “Harabel”, ku ushtruan kontrolle dhe sekuestruan dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliaj dhe familjarëve të tij.

Avokatët e bashkëshortes të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt ankimuan kontrollet e oficerëve të BKH-së duke pretenduar se janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.

Por Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi ankimimin e bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës për kthimin e telefonit dhe dokumentave të marra nga oficerët e BKH-së më 6 dhjetor. Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri.

Ndërkohë pas këtij vendimi një tjetër lëvizje erdhi nga Xoxa e cila ankimoi këtë vendim për Apelin e GJKKO-së dhe do të jetë gjyqtari Engert Pëllumbi ai i cili do të vendosë lidhur me këtë çështje.

Share This Article
Leave a Comment