1000 karrige me rrota për të mos lënë asnjë individ para dhe tetraplegjik pa mundësinë e lëvizjes

3 Min Read

Fondacioni Mane, në bashkëpunim me Fondacionin “Fundjava Ndryshe”, ka prezantuar nismën për të pajisur të gjithë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Shqipëri me karrige me rrota. 260 karrige me rrota u shpërndanë në Tiranë si aksion i parë, për të vijuar me shpërndarjen në total të 1,000 karrigeve në të gjithë vendin.

Prezantimi publik i projektit u zhvillua në ambientet e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, ku edhe filloi shpërndarja e karrigeve me rrota për rrethin e Tiranës. Ky projekt do të zhvillohet edhe me mbështetjen e Shërbimit Social Shtetëror dhe Shoqatës së “Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë”. Qëllimi i këtij projekti është që asnjë person para dhe tetraplegjik në Shqipëri të mos ndiejë mungesë të një karrigeje me rrota. I nisur në Tiranë, aksioni do të vazhdojë me shpërndarjen e 1,000 karrigeve me rrota në të gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i Fondacionit Mane, Samir Mane, tha se shpërndarja e karrigeve me rrota për individë me status para dhe tetraplegjikë është një angazhim sa i fondacionit, po aq edhe personal.

Themeluesi i Fondacionit Mane dhe Grupit BALFIN, Samir Mane, shtoi se kjo nismë është vetëm një përpjekje e radhës, për të garantuar në shoqëri një jetesë dinjitoze për të gjithë individët para dhe tetraplegjikë, e kryesisht për ata me vështirësi ekonomike.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, e përforcoi qëndrimin e Presidentit të Fondacionit Mane.

Bajram Tirana, Kryetari i Shoqatës “Invalidë Para dhe Tetraplegjikë”, ndërsa ndau eksperiencën e tij personale dhe nevojat e veçanta të individëve që përfaqëson, e cilësoi nismën e Fondacionit Mane dhe organizatës “Fundjavë Ndryshe” si shembullin më të mirë të përpjekjeve të përbashkëta për të ndihmuar dhe mbështetur një shtresë të shoqërisë që ka shumë nevoja.

Të ndodhur në aktivitetin e sotëm, ishin 260 persona para dhe tetraplegjikë që u pajisën me karrige me rrota. Ndërkohë, për pjesën tjetër që nuk e patën të mundur të vinin në prezantimin e projektit, karrigia me rrota do iu dërgohet në shtëpi. Vullnetarët e Fondacionit Mane dhe të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, të mbështetur edhe nga stafi i Shërbimit Social Shtetëror, do të trokasin derë më derë për të dorëzuar karriget me rrota. I njëjti proces do të ndiqet edhe nëpër rrethet e Shqipërisë.

Prej formimit, Fondacioni Mane ka arritur të bëjë një ndryshim të prekshëm në jetën e shumë individëve, duke angazhuar vazhdimisht për çështje të cilat lidhen me edukimin, rininë, ruajtjen e mjedisit, shëndetin dhe mirëqenien e grupeve të caktuara shoqërore në nevojë.

Share This Article
Leave a Comment