Nga Ajdin Kamber, Gianluca Liva, Vanja Stokic dhe Ingrid Gercama
“Duhet të dalim nga shtrati i lumit,” pëshpërit një burrë.
“Shtrati i lumit?” pyet një grua, duke nxjerrë atleten nga dheu i lagësht.
“Ti po qëndron në një lumë. Thahet gjatë verës.”
Është pothuajse mesnatë dhe tre gazetarë po ecin me vështirësi përmes një fushe me bar të lartë deri në kraharor. Errësira është e plotë, por nuk mund ti ndezin elektrikët; dikush mund t’i shohë.
Një tingull i mprehtë shqyen heshtjen e natës. Zhurma e tij irrituese i drejton gazetarët përmes fushës.
“E dëgjon? Atje,” thotë njëri prej tyre, duke larguar shkurret e barit. Zhurma elektronike që po ndjekin bëhet gjithnjë e më e padurueshme.
Një tufë shpendësh ngrihet në ajër.
“O Zot i madh,” thërret një gazetar. “Ja ku është! Kanë tentuar ta fshehin.”
E fshehur poshtë barit është një pajisje elektronike joshëse për shpendët, e pajisur me altoparlantë.
Gjuetarët i përdorin këto pajisje, që lëshojnë tinguj të mprehtë, për të joshur shkurtat. Ato aktivizohen në perëndim të diellit dhe ndalen automatikisht në agim dhe mund të blihen në internet për rreth 50 deri në 150 euro.
Ato janë gjithashtu të paligjshme dhe gjobat për përdorimin e tyre variojnë nga 750 deri në 7,500 euro.
Megjithatë, këto pajisje gjenden shpesh në fushat karstike pranë Livnos, në jugperëndim të Bosnjë dhe Hercegovinës – një zonë e mbrojtur nga konventa Ramsar, jetike për shpendët shtegtarë si shkurtat. Peizazhet e saj moçalorë shërbejnë si një ndalesë thelbësore për shpendët që migrojnë nga Ballkani drejt Afrikës.
Dhjetëra mijëra shkurtash vriten ilegalisht në Ballkanin Perëndimor çdo vit, ndwrsa organizatat mjedisore që vlerësojnë se deri në 75 për qind e shkurtave të vrara kapen në mënyrë të paligjshme, duke përbërë një kërcënim serioz për mbijetesën e tyre në Evropë.
E kombinuar me humbjen e habitateve dhe ndryshimet klimatike, kjo gjueti e paligjshme prish ekosistemet, kërcënon biodiversitetin dhe mund të çojë përfundimisht në zhdukjen e shkurtave nga pjesë të kontinentit.
Në Livno, gazetarët fotografojnë pajisjen e paligjshme dhe e mbulojnë përsëri me bar. Në makinë, ata presin deri në agim, kur presin që gjuetarët të shfaqen në skenë.
Disa orë më vonë, gazetarët kapin atë që kërkonin. Me ndihmën e një droni, ata vërejnë një grup gjuetie jo larg pajisjes joshëse për shpendët – dy gjuetarë italianë me pushkë, një udhërrëfyes boshnjak dhe dy qen që lehin.
Gjuetarët në Bosnjë “shpenzojnë një mal me para”
Gjuetia e paligjshme ka qenë një problem prej vitesh në fushat përreth Livnos, një zonë e pasur me shkurtat dhe specie të tjera shpendësh.
Gjuetarët italianë, në veçanti, e adhurojnë këtë pjesë të Bosnjës. Agjencitë e gjuetisë organizojnë akomodimin, udhërrëfyesit, armët dhe lejet. Gjithçka është në rregull – përveç joshësve të paligjshëm të shpendëve, të fshehur nëpër fusha.
“Qindra gjuetarë shkojnë në Bosnjë dhe Serbi dhe gjuajnë specie të mbrojtura. Më pas, i marrin me vete në shtëpi. Ata shpenzojnë një mal me para,” thotë Nicola Pierotti, një ish-inspektor i Korpusit Pyjor të Shtetit Italian, i specializuar në trafikimin e shpendëve.
“Ka dy agjenci që e bëjnë këtë prej vitesh dhe askush nuk fut hundët sepse kanë frikë,” shton ai.
Në Itali, shkurtat konsiderohen një delikatesë dhe gjuetia është një aktivitet i çmuar rekreativ.
Ajo që ndodh me shkurtat e gjuajtura ilegalisht mbetet e paqartë; disa raporte sugjerojnë se ato konsumohen gjatë udhëtimeve të gjuetisë, ndërsa të tjera tregojnë për kontrabandë. Policia kufitare boshnjake ka konfirmuar gjetjen e shpendëve të fshehur në makina me targa italiane.
Në vitin 2001, Pierotti drejtoi “Operacionin Shpendët e Ballkanit”, një aksion ndërkombëtar policor njëvjeçar që çmontoi dy grupe kriminale të përfshira në kontrabandën e shpendëve.
Ekipi i tij zbuloi furgona me ndarje të fshehura. Njëherë, ata kapën një kamion frigoriferik të mbushur me shpendë:
“Po flasim për më shumë se 100,000 pipitë, zogj shumë të vegjël me peshë 10 deri në 12 gramë. Një specie e mbrojtur, sigurisht. Përveç kësaj, kishte edhe shumë specie të tjera të mbrojtura, si mijëra thëllëza pyjore.”
Përgjimet telefonike gjatë hetimit të Pierottit zbuluan lidhjet midis gjuetarëve të huaj dhe policisë vendase në Ballkan:
“Ata korruptojnë policinë lokale, e cila mbyll sytë për shpendët e mbrojtur që qëllohen dhe për përdorimin e pajisjeve elektronike.”
Dhe kjo nuk është e gjitha.
“I kemi dëgjuar duke thënë se do të mbërrinte një ‘grup infermieresh nga Porto Riko’ dhe se pas darkës një furgon do të sillte një duzinë vajza të reja. Për 100 euro, ata mund të zgjidhnin një vajzë për natën,” kujton Pierotti.
Sipas të dhënave të tij, rreth 500 italianë udhëtuan në Bosnjë për gjueti në vjeshtën e vitit 2024. Qeveria e Bosnjës nuk jep të dhëna mbi numrin e turistëve të gjuetisë nga Italia.
Nuk ka “zogu im”, “zogu yt”
Gjuetia e paligjshme e shkurtave nuk kufizohet vetëm në Bosnjë. Çdo vit, të paktën 160,000 shkurtash vriten ilegalisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Shqipëri, si edhe në Bosnjë. Sipas fondacionit gjerman EuroNatur, kjo shifër përbën rreth 3 për qind të popullatës totale evropiane.
Masakra ndaj këtyre shpendëve shtegtarë ka pasoja shkatërrimtare. Ky zog, dikur i zakonshëm, u kategorizua kohët e fundit si “potencialisht i rrezikuar” në Evropë nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Gjuetia e shkurtave në Evropën Juglindore është e përqendruar në dy rrugë kryesore migrimi: përgjatë bregdetit Adriatik dhe në fushat e veriut të Serbisë.
Përtej ndikimit te shkurtat, i gjithë ekosistemi është në rrezik. Prishja e një specieje mund të destabilizojë zinxhirët ushqimorë dhe sistemet ekologjike, duke sjellë pasoja të qëndrueshme mjedisore. Gjuetia e tepërt varfëron livadhet dhe kullotat, duke dëmtuar biodiversitetin. Nëse kjo praktikë vazhdon, shkurtat mund të zhduken, paralajmërojnë ambientalistët e rajonit.
Në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Milan Ruzic, drejtor i Shoqatës për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve të Serbisë, një OJQ mjedisore, shpreh shqetësimin për numrin në rritje të gjuetarëve të huaj që vijnë në Serbi për të gjuajtur shkurtat.
“Ata shkojnë atje ku e dinë se dikush do të kujdeset për ta dhe nuk do të ndëshkohen. Ky është Ballkani,” thotë ai.
“Vlerësohet se në Evropë ka 5 miliardë shpendë më pak se 50 vjet më parë. E gjithë rruga e migrimit duhet mbrojtur,” shton ai.
Gjuetia e paligjshme e shkurtave në Ballkan nuk duhet të shihet vetëm si një problem lokal, por evropian, pasi shpendët që jetojnë në Evropë migrojnë përtej kufijve, argumenton Ruzic.
Shpendët shtegtarë përballen tashmë me një mori kërcënimesh globale. Livadhet ku ato çelin vezët shpesh shkatërrohen për bujqësi ose nga ndryshimet klimatike. Humbja e habitateve ka bërë që shumë specie të rralla të zhduken në Evropë, dhe gjuetia e pakontrolluar përgjatë rrugës migratore të Adriatikut përshpejton këtë rënie.
Ruzic vë në dyshim mënyrën sesi mbrohen aktualisht shpendët shtegtarë:
“Një shkurte që dikush vret në Serbi është e njëjta shkurte për të cilën dikush tjetër ka investuar miliona euro për ta mbrojtur në Sllovaki, Hungari, Austri, Poloni, Skandinavi apo shtetet baltike,” thotë ai.
“Nëse disa fermerë në Letoni apo Poloni marrin subvencione për të mbajtur livadhet apo fushat e tyre të pastra dhe të bukura, ku këto shpendë folezojnë, dhe më pas ato vriten në Serbi, i gjithë sistemi shembet,” shton ai: “Nuk ka ‘zogu im’, nuk ka ‘zogu yt’. Gjithçka është e lidhur. Nuk mund të flasim për turizëm të gjuetisë për një specie që po shkon drejt zhdukjes në Ballkan, ndërsa të gjithë të tjerët po përpiqen ta mbrojnë.”
Përtej kufirit, në Kroaci, një ambientalist ndan të njëjtin shqetësim me Ruzic.
“Kemi pasur disa suksese në Kroaci në luftën kundër gjuetisë së paligjshme vitet e fundit. Po shohim një rënie të ndjeshme të numrit të këtyre pajisjeve ilegale [joshësve elektronikë]. Por në të njëjtën kohë, po shohim një rritje në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë,” thotë Boleslaë Slocinski nga shoqata kroate për mbrojtjen e natyrës (BIOM).
“Kur policia filloi të vepronte më seriozisht kundër gjuetisë së paligjshme, gjuetarët e paligjshëm ikën nga këtu dhe u zhvendosën në vende ku ndjekja penale e këtyre krimeve nuk është ende në atë nivel,” shton ai.
Zbatimi i ligjit pengohet nga korrupsioni
Në Livno, duket se policia boshnjake është e vetëdijshme për problemin e gjuetisë së paligjshme. Disa orë pasi gazetarët zbuluan grupin e gjuetisë italiane, një makinë policie u drejtua me shpejtësi drejt fushës me bar. Oficerët me uniformë u shpërndanë në terren. Një udhërrëfyes lokal, i punësuar nga agjencia e gjuetisë Lupo, vërejti policinë dhe tregoi dokumentacionin e tij – lejet e armëve, dokumentet e qenve dhe pasaportat.
Tensioni në mesin e grupit të gjuetisë u rrit kur policia vërejti pajisjen joshëse të shpendëve në bar, jo shumë larg tyre.
Së shpejti, u thirrën përforcime. Në vendngjarje mbërritën dy inspektorë të krimeve, një inspektor i gjuetisë dhe një oficer i mjekësisë ligjore, duke e kthyer fushën në një skene krimi. Një oficer me doreza blu nisi punën – duke shënjuar terrenin, mbledhur gëzhojat e verdha të plumbave, konfiskuar pajisjen e paligjshme dhe marrë deklaratat e të pranishmëve.
“Në katër vitet e fundit… kemi parë një rritje të madhe të mbërritjes së shtetasve të huaj, kryesisht italianë, për të gjuajtur shkurtat,” tha inspektori i gjuetisë Nikola Ljuboja. “Ata me të vërtetë i duan shkurtat.”
Si inspektori i gjuetisë ashtu edhe policia pranojnë se zbatimi i ligjit në Bosnjë është i vështirë kur bëhet fjalë për gjuetinë e paligjshme. Policisë i mungojnë ekspertiza dhe fondet për të luftuar këtë fenomen.
Ambientalistët gjithashtu pretendojnë se korrupsioni është i përhapur. Shumë njerëz e dinë se çfarë po ndodh, por hezitojnë të veprojnë, thonë ata.
Bosko Brcic, sekretari i Shoqatës së Gjuetisë Livanjsko Polje, zona ku u gjet pajisja e paligjshme, tha se nuk e dinte nga kishte ardhur ajo pajisje. “As nuk e di si duket. Kushdo mund t’i vendosë ato,” thotë ai.
“Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se shoqata jonë i ka vendosur ato, gjë që nuk e ka bërë. Është e pamundur për një shoqatë gjuetie të mbulojë 50,000 hektarë.”
Pronari i agjencisë së gjuetisë Lupo, Ivica Perajica, nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë.
Më vonë, inspektori i gjuetisë Ljuboja shkroi se italianët që gjuanin në Livno “kishin të gjitha lejet e nevojshme”. Ai nuk pranoi të komentonte nëse ishin gjetur gjurmë gishtash në pajisjen e paligjshme.
Zëdhënësi i policisë së Kantonit 10, Ivica Vrdoljak, tha se rreth 20 raste të gjuetisë së paligjshme, tetë prej tyre që përfshinin pajisje ilegale, janë raportuar në këtë pjesë të vendit (Kantoni 10 i Federatës) gjatë dhjetë viteve të fundit. Shumë pak raste kanë shkuar në gjykatë. Askush nuk është ndëshkuar.
“Nuk gjen kurrë një person që po gjuan pranë joshësit të paligjshëm dhe që do të thotë: ‘Është i imi, unë e vendosa aty,’” thotë Vrdoljak. “Në shumicën e rasteve, kjo përfundon me një gjobë administrative dhe një urdhër ndëshkimi.”/BIRN