Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka përshëndetur ndryshimet e miratuara ditën e djeshme në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve.
“Përshëndesim ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve!
Një pikë e rëndësishme është edhe mundësimi nga ligji i përdorimit të dokumentave biometrike të lëshuara nga vendet e tjera ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët. Por kjo kërkon tashmë plotësimin e detajeve teknike nga ana e KQZ, për të mundësuar njohjen/përdorimin e këtyre dokumentave.
PAA ka mbrojtur vazhdimisht idenë se mundësia e votimit i duhet dhënë çdo shtetasi me të drejtë vote. Pas këtyre ndryshimeve, ne u bëjmë thirrje shqiptarëve, pavarësisht ku jetojnë e punojnë, të regjistrohen dhe të marrin pjesë masivisht në votim.
Kjo është mundësia juaj e madhe për të ndryshuar realitetin politik.
Regjistrohuni! Votoni”, shkruan Duka.
Kujtojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e Diasporës u miratuan në seancën e djeshme plenare nga mazhoranca dhe opozita me 108 vota pro. Ndryshimet përfshijnë pagesën e postës për kthimin e votës së diasporës dhe numërimin. Nga këto ndryshime afati i regjistrimit për emigrantët është data 12 mars 2025.