Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se më 19 shkurt do të mbahet samiti i dytë për luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane, ku do të marrin pjesë disa shtete evropiane dhe joevropiane, që nuk ishin pjesë e një takimi paraprak në kryeqytetin francez.
Të hënën, në Paris u mbajt një takim urgjent që mblodhi një numër të vogël të shteteve kyç evropiane.
Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, në samitin e 19 shkurtit do të marrin pjesë edhe Kanadaja, Norvegjia, Estonia, Letonia, Lituania, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika.
Gjatë samitit të 17 shkurtit që u mbajt në Paris, udhëheqësit evropianë shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar garanci të sigurisë për Ukrainën, por ata paralajmëruan se niveli i këtyre garancive do të bazohet në pjesëmarrjen e Uashingtonit në rast të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të paqes.
Megjithatë, shumë udhëheqës shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për Kievin.
“Ky është medimi im sa i përket takimit në Paris. Evropa është e gatshme dhe ka vullnet që të veprojë. Të udhëheqë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Gati dhe me vullnet që të investojmë më shumë në sigurinë tonë. Për detajet do të duhet të vendoset, por angazhimi është i qartë”, shtoi ai.
Macron pas takimit të së hënës tha se “ne duam të arrijmë një paqe të fuqishme dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
“Për të arritur këtë, Rusia duhet të ndalë agresionin e saj dhe kjo gjë duhet të shoqërohet nga garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për ukrainasit”.
Takimi i ri në Paris do të mbahet një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite, ku nuk u përfshin qeveritë evropiane apo Kievi.
Takimi në Riad duket se ka vendosur bazat për bisedimet në të ardhmen mes Uashingtonit dhe Moskës, teksa dy palët janë pajtuar për të dërguar staf në ambasadat respektive, në mënyrë që të krijohen misione për të mbështetur bisedimet e paqes për Ukrainën, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ideja e dërgimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë pas një armëpushimi u vendos në qendër të vëmendjes, pas deklaratave të bëra nga kryeministri britanik, Kier Starmer.
Më 17 shkurt, ai tha për gazetarët se është “i gatshëm ta shqyrtoj angazhimin e forcave britanike në terren së bashku me të tjerët, nëse ka një marrëveshje për paqe të qëndrueshme”.
Megjithatë, ai paralajmëroi se është shumë herët që të jetë specifik për këtë temë, pasi diskutimet për të janë në fazën fillestare.
Por, Macron gjatë një interviste dhënë më 18 shkurt për një gazetë rajonale franceze, tha se Parisi nuk po “përgatitet të dërgojë trupa tokësore në konflikt, në front të luftës” në Ukrainë, por po e shqyrton, së bashku me Britaninë, që të dërgojë “ekspertë, apo edhe trupa, në terma të kufizuar, jashtë çdo zone të konfliktit”./rel