Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës, pasi ishte në kërkim pasi dyshohet se bashkëpunëtor për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga një anije e sekuestruar në Porto Romano.
34-vjeçari Drilon Malluta akuzohet për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa më tej, policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, të DVP Durrës, në vijim të operacionit policor të koduar “Turni”, i zhvilluar 10 ditë më parë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), kanë kapur njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni:
M., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit A. M. (i arrestuar gjatë operacionit), J. K. (i shpallur në kërkim) dhe me pjesëtarë të ekuipazhit të anijes, për të vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte nga një anije që ishte ankoruar në Porto Romano, pasi ishte sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Durrësit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale shtesë do të referohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për hetime të mëtejshme.