Katër kërkesa të reja janë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për impiante fotovoltaikë me kapacitet total të instaluar prej rreth 235 MW.
Janë katër kompani të ndryshme të cilat kanë shprehur interes për projekte në disa rajone në vend ku disa prej tyre me fokus drejtpërdrejt energjinë dhe të tjera që e shohin këtë sektor si diversifikim në raport me fushën tradicionale ku operojnë. Por cilat janë projektet dhe kompaninë të cilat kanë aplikuar?
Aplikimi i parë është nga shoqëria “EURON SOLAR-PV” sh.p.k që ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 100 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Fshatrat Fushë dhe Povelçë, Bashkia Fier, Qarku Fier.
I dyti nga shoqëria “ROZAFA” sh.p.k ka për një impiant fotovoltaik me kapacitet të instaluar 40 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme me vendndodhje pranë Fshatit Shmil, Bashkia Elbasan, Qarku Elbasan. Kjo e fundit operon është një kompani që njihet sidomos për aktivitetin e saj në peshkim.
I treti nga shoqëria “GREENSOL” sh.p.k për një impiant me kapacitet të instaluar 49.96 MW me vendndodhje në Bistricë, Bashkia Finiq.
E katërta është shoqëria “AGRO ILIRIA GROUP” sh.p.k për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 45 MW, me vendndodhje në Zonën Kadastrale 2085, Njësia Administrative Remas, Bashkia Divjakë, Qarku Fier.
Kjo e fundit aktualisht operon në bujqësi duke u foksuauar tek prodhimi i shegëve, goji berry dhe një sërë kulturave të tjera duke qenë një ndër kompanitë që ka pasur edhe statusin e investimit strategjik.