Agjencia që mashtroi për bileta udhëtimi, fitoi tendera në shtet pas arrestimit të pronarëve

3 Min Read

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës se një agjenci turistike, pronarët e së cilës u arrestuan për mashtrime të mëdha, fitoi tendera nga institucionet shtetërore.

Në muajin tetor 2024, Policia e Tiranës arrestoi pronarin dhe administratorin e një agjencie udhëtimi. Kleo Karriqi dhe Redi Hambari mashtronin qytetarët për bileta udhëtimi, teksa në atë kohë policia tha se dëmi ndaj qytetarëve ishte mbi 15 mijë euro.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës kanë zbuluar se firma “Avia Center” ka fituar tendera edhe nga institucione shtetërore. Sipas dokumenteve që Fiks Fare disponon, kjo firmë është përjashtuar për 2 vite nga tenderët. Madje, duke përdorur edhe të dhëna e dokumente të rreme.

Në dokument shkruhet se, “APP ka nisur procedimin administrativ, për përjashtimin e operatorit nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi në disa procedura tenderuese të blerjes së biletave të transportit ndërkombëtar ajror”.

Pra, gjatë kohës që pronari dhe administratori ishin në burg, dhe po hetoheshin për mashtrim, ata fituan çuditërisht tendera nga institucione shtetërore!

Fiks Fare hulumtoi dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit për këtë firmë. Rezulton se firma, edhe pas përjashtimit nga tenderët, është aktiv. Në ekstrakt janë dy numra telefoni, teksa Fiksi kontaktoi me të dy numrat, ku i pari doli i mbyllur dhe i dyti ishte aktiv. Fillimisht askush s’u përgjigj me zë, teksa dërgon një mesazh “më shkruani”. Fiksi kërkon një person kontakti nga agjencia “Avia Center”.

Personi identifikohet se është një nga agjentët e firmës “Avia Center”, ku fillimisht ka pasur si adresë zonën pranë Brrylit, por tashmë janë zhvendosur.

“Për momentin e kemi mbyllur zyrën dhe jemi në proces transferimi. Më shkruani ju lutem s’i mund t’ju ndihmojmë. Ne kemi pasur zyrën afër Brrylit dhe lëvizëm te Pazari i Ri, ngjitur me Zyrat e Sorosit. Për momentin po lëvizim në një vend tjetër. A mund t’ju asistoj?” shkruan ai.

Fiksi i bën me dije se kërkon 2 bileta për në Stamboll, Turqi, ku të përfshihet edhe akomodimi. “Për momentin s’po operojnë dot, pasi jemi pa funksione. Vetëm për klientët ekzistent që kemi po u japim suport online, pasi kemi fikur edhe numrin” thotë ai. Gazetarët e pyesin se ku fillojnë dhe ai përgjigjet se “shumë shpejt”.

Më pas kërkon se për cilën datë interesohemi, teksa Fiksi i shkruan se në datat 28 dhe 29 prill 2025, për 2 persona. Agjenti kërkon edhe vendin në Stamboll, nëse kemi të preferuar. Fiksi i shkruan se kërkon një vend akomodimi afër pazarit, në sheshin “Taksim”, në Stamboll.

Pas telefonatës shkruan se “sapo të kemi sistem do t’ju dërgojmë ofertë”. Megjithëse pronarët janë akuzuar, arrestuar dhe tashmë përjashtuar në tenderët, për mashtrime, agjencia vijon aktivitetin. Madje, duke premtuar edhe blerje bilete për institucione shtetërore!/TCH

Share This Article
Leave a Comment