SHBA- Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje aleatëve nëBritaninë e Madhe dhe Evropë që të blejnë armë dhe pajisje ushtarake amerikane për të ruajtur aleancën e NATO-s, kanë deklaruar zyrtarë evropianë të njohur me këtë çështje. Sipas burimeve kërkesa është dërguar disa herë nga zyrtarët amerikanë tek kolegët e tyre evropianë gjatë javëve të fundit, duke përfshirë takimet mes aleatëve të NATO-s që janë mbajtur në kontinentin evropian këtë javë.
Ekipi i Trumpit gjithashtu ka sugjeruar se dëshiron që Evropa të blejë më shumë energji amerikane gjatë bisedimeve për bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Disa burime thanë gjithashtu se është nënkuptuar se presidenti mund të lehtësojë kërkesën e tij që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë 5 për qind të buxhetit të tyre për mbrojtje nëse Evropa rrit interoperabilitetin me ushtrinë amerikane dhe investon më shumë në kompanitë amerikane.
“Presidenti Trump dhe administrata e re u ka kërkuar aleatëve tanë të NATO-s të marrin pjesën e tyre të barrës dhe të plotësojnë angazhimet e tyre për shpenzime për mbrojtje. Arritja që aleatët tanë të përmbushin këto angazhime e forcon NATO-n”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Brian Hughes.
Ky zhvillim është shembulli më i fundit i marrëdhënieve transaksionale të Trumpit me aleatët e SHBA, që largohet nga roli tradicional i SHBA si partner i padiskutueshëm i sigurisë transatlantike.
Vetëm disa orë para se Trumpi të trondiste liderët evropianë me njoftimin se kishte rënë dakord me presidentin rus, Vladimir Putin për të filluar negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth u tha aleatëve të NATO-s se SHBA nuk janë më “garantuesi kryesor i sigurisë në Evropë”.
Trump ka kohë që kërkon që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtje, dhe paralajmërimet për NATO-n që të mos mbështetet në SHBA janë bërë një temë e shpeshtë gjatë administratës së parë.
Në javët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar se duan një interoperabilitet më të ngushtë mes ushtrive amerikane, britanike dhe atyre evropiane në lidhje me sistemet e raketave, municionet, inteligjencën artificiale dhe luftën kibernetike, sipas personave të njohur me këto diskutime.