Të tjera detaje janë zbuluar rreth aksidentit të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në aksin rrugor Përrenjas-Librazhd, ku viktimë mbeti 20-vjeçarja Megi Xhetani.
Aksidenti ndodhi vetëm pak pas mesnatës, ku Megi ishte në makinë me të fejuarin e saj Zef Sinani 34-vjeç. Të dy kishin vetëm disa muaj që ishin fejuar, dhe mbrëmë po udhëtonin drejt Pogradecit, për të festuar Shën Valentinin.
Por teksa ishin duke udhëtuar me një automjet tip “Benz”, u përfshinë në një përplasje me një kamion, që drejtohej nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Aksidenti i rëndë ndodhi në afërsi të Pishkashit, në kthesat e zonës.
20-vjeçarja humbi jetën menjëherë, teksa i dashuri i saj mori lëndime dhe u dërgua fillimisht në spitalin e Librazhdit. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai u mos me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku ndodhet me plagë të shumta.
Shkaqet paraprake të aksidentit dyshohen të jenë humbja e kontrollit të automjetit, por nuk përjashtohet dhe mundësia që në asfalt të jetë derdhur vaj makinash, duke krijuar një sipërfaqe të rrëshqitshme.
Babëzia e njerëzve që kryejnë këto akte në rrugët e vendit, ka shkaktuar një numër të madh aksidentesh, ku pasojat shpesh kanë qenë në të lënduar, ose akoma më të rënda si ajo e mbrëmshmja në viktima, teksa autoritetet kanë dështuar në parandalimin e këtyre rasteve.