Ekipi i Presidentit Trump pritet të fillojë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite

3 Min Read

Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump do të fillojnë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite në ditët në vijim, sipas një ligjvënësi amerikan dhe një burimi që ka dijeni për planet.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të udhëtojnë në Arabinë Saudite, i tha ligjvënësi amerikan Michael McCaul agjencisë Reuters në Mynih. Një burim me njohuri për planet, konfirmoi se bisedimet do të mbahen.

Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës fqinje në shkurt 2022. Rusia ka nën kontroll rreth një të pestën e Ukrainës dhe ka kërkuar që çdo marrëveshje paqeje të parashikojë që Kievi të heqë dorë nga pjesë të territorit të saj dhe të ketë një status të përhershëm neutral.

Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territori që ka marrë nën kontroll si edhe që të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci ekuivalente sigurie për të parandaluar një sulm të ngjashëm nga Moska në të ardhmen.

Sekretari Rubio pati një telefonatë të shtunën me homologun e tij rus, Sergei Lavrov gjatë së cilës ata diskutuan për konfliktin në Ukrainë, thanë të dyja palët. Ata ranë dakord për kontakte të rregullta për të përgatitur një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit Trump, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ligjvënësi republikan McCaul, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se siç e kishte kuptuar ai, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte ftuar për të marrë pjesë në bisedimet në Arabinë Saudite.

Zoti McCaul tha se bisedimet kishin për qëllim organizimin e një takimi mes presidentëve Trump, Putin dhe Zelenskiy “për të sjellë përfundimisht paqen dhe për t’i dhënë fund këtij konflikti”.

Ai tha të premten se do të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë, por nuk tha se kur. Megjithatë, udhëheqësi ukrainas tha se nuk kishte plane të takohej me zyrtarë amerikanë apo rusë gjatë atyre vizitave.

Biseda e zotit Trump me presidentin rus të mërkurën dhe gjasat se mund të ketë lëshime ndaj Moskës për kërkesat kryesore të Ukrainës, shkaktoi shqetësim si në Kiev ashtu edhe mes aleatëve evropianë në NATO, të cilët thanë se druheshin se Shtëpia e Bardhë mund të bënte një marrëveshje pa to.

Zyrtarët evropianë thanë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit nuk përfshiheshin në negociata.

Zoti Trump, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten, tha se Ukraina do të kishte një vend në tryezë gjatë çdo negociate paqeje me Rusinë për përfundimin e luftës.

Share This Article
Leave a Comment