Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se vetë “Ramaforma”, siç e konsideron ai reformën në drejtësi, ishte një grusht shteti sepse sipas tij, me vendime mbi ligjet dhe Kushtetutën, si edhe me vettingun e kontrolluar prej tij, Edi Rama e ka kapur të gjithë sistemin e drejtësisë.
Reagimi i plotë
Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin dhe dhunën e orkestruar të Narkoshtetit ndaj GJKKO, të urdhëruar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama.
Rrethimi i GJKKO me policë e nëpunës bashkiakë dhe refuzimi zyrtar i Narkopolicisë për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një “grusht shteti” kundër grushtit të shtetit.
Vetë “Ramaforma” ishte një grusht shteti sepse me vendime mbi ligjet dhe Kushtetutën, si edhe me vettingun e kontrolluar prej tij, Kreu i Organizatës e kapi të gjithë sistemin e drejtësisë.
Por meqë denoncimet konkrete persistente, kallëzimet penale persistente, protestat dhe presioni persistent i opozitës e arritën një rezultat, atëhere u urdhërua edhe ky “grusht shteti” kundër grushtit të shtetit që Edi Rama e realizoi po vetë.
Pavarësisht reagimit të vonuar të GJKKO, pas 48 orësh, kjo ngjarje provon mentalitetin mafioz të Kreut të Organizatës dhe raportin e tij intimidues, shantazhues dhe kërcënues ndaj institucioneve të shtetit edhe vetë “Drejtësisë së Re” që ai krijoi.
Nënvizoj se Partia e Lirisë jo vetëm që nuk ka organizuar një protestë ndaj GJKKO, por ju kujtoj se unë personalisht u kam bërë thirrje publike anëtarëve dhe simpatizantëve, të mos tuboheshin për asnjë arsye para këtij institucioni, as në shenjë solidariteti me mua.
Nënvizoj se çdo arritje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vetëm rezultat i kallëzimeve penale persistente, i denoncimeve persistente, i protestave publike persistente dhe i këmbënguljes së Partisë së Lirisë dhe opozitës në tërësi.
Prandaj duhet vazhduar me denoncimet, kallëzimet penale dhe protestat persistente për të arritur qëllim final, rrëzimin e Narkoshtetit dhe ndëshkimin e merituar të Kreut të Organizatës.