Kapiteni në dyshim kundër Egnatias, gati rikthimi i afrimit të janarit te Partizani

2 Min Read

Partizani ka zbarkuar dje në stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës kundër Egnatias, shumë e rëndësishme për renditjen brenda katërshes. Në seancën e djeshme trajneri Veselinoviç ka nisur lëvizjet taktike dhe analizimin e hollësishëm të skuadrës së Edlir Tetovës.

Trajneri serb me siguri pritet të zgjedhë një strategji ku ta presë Egnatian i organizuar dhe të synojë ta ndëshkojë në daljet e shpejta. Sa i përket formacionit, rreshtimi do të jetë shumë i kushtëzuar për shkak të pezullimeve të shumta dhe mungesave.

Gjatë ditëve të fundit probleme shëndetësore ka shfaqur kapiteni Preka, i cili duket se është prekur nga virozat dhe rrezikon prezencën kundër kryesuesve. Të pezulluar për shkak kartonësh për këtë betejë janë Gudjufi, Taipi, Bytyçi dhe Janjeva.

Lajmi i mirë është Atanaskoski, i cili më në fund është kthyer në stërvitje dhe pritet të jetë i gatshëm nga stoli. Sa i përket dëmtimeve jashtë kësaj sfide mbeten Kote dhe prurja e merkatos, Eleke. Ndërkohë, mbrojtja pritet të ndryshojë thuajse e gjitha, me Osmanllarin dhe Buxhelajn, që pritet të fitojnë një fanellë titullari.

Në mesfushë në vend të Taipit pritet të startojë Mando dhe krah tij Mehmeti e Ismaili. Në sulm me shumë mundësi do t’i besohet një fanellë titullari Vujnoviçit, teksa krah tij priten dy të zakonshmit tashmë, Podstrelov dhe Bintsuka. Në stol opsionet pritet të jenë të pakta.

Share This Article
Leave a Comment