Forcojmë bashkëpunimin me SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore 

2 Min Read

Celibashi bën me dije se kanë diskutuar për krijimin e një Protokolli të Koordinimit Institucional mes KQZ dhe SPAK, që do të mundësojë linja komunikimi të hapura 24/7, raportim të menjëhershëm dhe ndërhyrje të shpejtë në rastet e shkeljeve. 

Ndërkohë, SPAK do të organizojë struktura të dedikuara në nivel qendror dhe lokal, të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilët do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit tanë në çdo qark dhe në nivel qendror. 

“Një nga hapat konkretë në këtë drejtim është edhe krijimi i një sistemi të unifikuar të denoncimeve, ku qytetarët, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë do të mund të raportojnë raste të mundshme të krimeve zgjedhore. Këto denoncime do të analizohen me seriozitetin më të madh jo vetëm nga KQZ, por edhe nga hetuesit dhe prokurorët e SPAK për të garantuar një ndjekje të plotë dhe efikase të çdo shkeljeje. 

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte aksesimi nga SPAK në Ndërfaqen e Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ, sistemi që monitoron dhe evidenton shkeljet e mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve. Kjo do të rrisë efikasitetin e hetimeve dhe do të ndihmojë në identifikimin e praktikave të paligjshme që cënojnë barazinë e garës zgjedhore“, shprehet Celibashi. 

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përfshirja më e gjerë e institucioneve ligjzbatuese në monitorimin e procesit zgjedhor. Sipas Drejtuesit Dumani, SPAK, në bashkëpunim me KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, do të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje. 

Share This Article
Leave a Comment