Taulant Xhaka ka vendosur të tërhiqet nga futbolli pas përfundimit të këtij sezoni. Mesfushori, një nga lojtarët më të dashur të Baselit dhe pjesë e kombëtares shqiptare, do të varë këpucët pas 13 sezoneve, 10 trofeve dhe më shumë se 400 ndeshjeve me kuqeblutë. Xhaka, i cili iu bashkua Baselit në vitin 2003 kur ishte vetëm 12 vjeç, ka arritur shumë gjatë karrierës së tij, duke u shpallur kampion 6 herë dhe fituar Kupën 3 herë.
Duke bërë njoftimin e tërheqjes së tij, Xhaka theksoi se vendimi për pensionim ka ardhur në momentin e duhur, pasi do të mbushte 34 vjeç në mars dhe e ka parë këtë si një mundësi të natyrshme për t’u tërhequr. Ai shprehu mirënjohje për përvojën e tij me Baselin dhe premtoi se do të vazhdojë të japë maksimumin deri në fund të sezonit.
Drejtori sportiv i klubit, Daniel Stucki, vlerësoi Xhakën për përkushtimin dhe mentalitetin fitues që ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij te Baseli. Klubi i Baselit e falënderoi Xhakën për besnikërinë dhe kontributin e tij të çmuar gjatë gjithë kohës që ka qenë pjesë e skuadrës.