DOSJA/ I “justifikoi” Veliajt vilën në Qerret? Shoferi i Ajola Xoxës nxjerr blof Ramën

2 Min Read

Kryeministri Edi Rama komentoi dje, më 11 shkurt, arrestimin e Erion Veliajt dhe hetimet që po kryhen ndaj tij, duke përmendur një akuzë të çuditshme në lidhje me vilën në Qerret. Sipas Ramës, Veliaj akuzohet se shtëpia e vjehrrit të tij është e tij, pasi janë gjetur rrobat e djalit të tij 6-vjeçar aty. Rama theksoi se, nëse kjo është e vërtetë, do të vërtetohet me prova, por e quajti mbresëlënëse që dikush kërkohet llogari për pronën e vjehrrit të ndjerë që ishte bërë posedues i saj para se Veliaj të kishte ndonjë pushtet.

Por….

Shoferi i Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, e hodhi poshtë këtë pretendim të Ramës. Kur u pyet në SPAK, ai deklaroi se nuk kishte dëgjuar kurrë nga Arben Xoxa, babai i Ajolës, që të fliste për vilën në Qerret, një pretendim që kryeministri e kishte lidhur me të./ilirianews.al

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua mëngjesin e 10 shkurtit nga zyrtarë të SPAK dhe BKH-së. Aksioni u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku Veliaj u dërgua në qeli pas një hetimi të drejtuar nga Gjykata e Posaçme. GJKKO ka vendosur gjithashtu masën “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndërsa disa të tjerë, përfshirë Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, janë vënë në detyrim paraqitje.

Hetimet për Veliajn filluan me kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes dhe sekuestrimin e telefonit të tij celular, më 6 dhjetor, nga oficerët e policisë gjyqësore. Po ashtu, kontrollohet edhe banesa e vëllait të kryebashkiakut. Prokuroria e Posaçme ka hapur një hetim pasuror ndaj Veliajt dhe po shqyrton rolin e tij në çështje të ndryshme, përfshirë atë të inceneratorit të Tiranës dhe lidhjet me kompaninë “5D”. Veliaj ka reaguar pas arrestimit, duke shprehur mbështetje për veprimet e Prokurorisë.

Share This Article
Leave a Comment