Zbardhet dosja, arsyet pse SPAK kërkoi të izolojë në qeli Erion Veliajn

4 Min Read

Hetimi i SPAK ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ka nxjerrë në dritë, atë që Struktura e Posaçme e konsideron si një skemë mirëfilli korrupsioni. Pesë biznesmenë të akuzuar për “korrupsion” dyshohet se në këmbim të tenderëve të marrë nga Bashkia Tiranë, apo lejeve të ndërtimit në kryeqytet, kanë dhënë ryshfet përmes pagesave që kanalizoheshin në tetë shoqëri tregtare dhe Organizata Jofitimprurëse, të zotëruara nga familjarë apo njerëz të afërt të Ajola Xoxës, por që sipas SPAK, në të vërtetë kontrolloheshin de facto dhe de jure prej saj.

Në një rast ryshfeti dyshohet të jetë një vilë në Qerret, e në të tjera, mbulim shpenzimesh për udhëtime e hotele jashtë vendit, sponsorizime për aktivitete që nuk kryheshin dhe financime për shërbime që nuk merreshin.

Mes projekteve të justifikuara fiktivisht, sipas SPAK, ka qenë edhe një i financuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Në një nga aktivitetet që ishin financuar nga Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, qendra “Harabel” ka paguar për një shërbim që lidhej me dixhitalizimin e artit bashkëkohor kushëririn e saj, që ishte dirigjent dhe një tjetër si pianist, por që në të vërtetë nuk dinte të luante në piano.

Në lidhje me shpenzimin e një shifre prej gati 860 mijë euro për blerje online të rrobave, produkteve kozmetike dhe bizhuterive nga Xoxe e familjarë të saj, SPAK pretendon se janë verifikuar 130 praktika doganore për blerje të realizuara në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, SHBA dhe Hong Kong.

Referuar 130 praktikave doganore, SPAK, thotë se në shumicën e rasteve blerësi identifikohej si Erald Ismaili, ndërsa adresa ishte ajo e “Harabel”. I pyetur në SPAK, Ismaili ka deklaruar se pagesat doganore i ka bërë për llogari të Ajolës. Ai ka thënë se nuk kishte mundësi financiare të blinte Luis Vuiton apo Prada, por se në një rast i kishte dhënë Ajolës kartën e identitetit, pasi e kërkonte posta, por nuk kishte dijeni si i ishte përdorur.

Në dosje, SPAK nënvizon edhe faktin se përse kërkoi arrest në burg për Veliajn, duke e lidhur këtë jo vetëm me veprat penale për të cilat ai dyshohet, por edhe intimidimin e agjentëve të BKH.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i ka dërguara mesazhe të agjentëve duke iu kërkuar të ndalojnë me thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime, duke krijuar premisa për intimidim të dëshmitarëve.

Po ashtu, masa ekstreme është përligjur edhe me ndikimin dhe njohjet e shumta të Veliajt, si edhe rreziku i dëmtimit të provave dhe largimit. Rrethanat janë të ngjashme edhe për bashkëshorten e tij, që sipas SPAK ka takuar para dhe pas hyrjes në SPAK deklaruesit për çështjen, në disa raste edhe në shoqërinë e deputetes, Klotilda Bushka.

Por SPAK kërkoi një masë “arrest në shtëpi” ndaj saj për shkak se është nënë e një fëmije të mitur.

Share This Article
Leave a Comment