Lista Serbe arriti “fitore të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet në Kosovë

3 Min Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Lista Serbe e ka shënuar një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbia e tyre”.

“Ata [serbët në Kosovë] kanë një president të tyre, një atdhe të tyre dhe atë atdhe, Serbinë, e duan më shumë se çdo gjë në botë. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj tyre dhe ata kanë treguar se si një popull sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze në një situatë të vështirë”, tha Vuçiq gjatë një interviste për televizionin Pink.

Vuçiq tha se “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.

Ndërsa, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i mori rreth 3.861 vota, ose 0.46 për qind.

Vuçiq shtoi se Lista Serbe “me gjithë dobësitë, mangësitë dhe gabimet e saj, ka arritur të fitojë besimin më të madh të serbëve” në Kosovë.

Por, sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.

Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.

Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviqit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota.

Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.

Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim./REL

Share This Article
Leave a Comment