Një inspektor policie është arrestuar nga AMP, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nxorën naftë nga anija që ishte sekuestruar në Porto Romano.
U bë me dije se bëhet fjale për disa qindra litra naftë që ka qenë e sekuestruar, ku polici Armand Marvataj, 21 vjeç ka qenë me detyrë për të ruajtur anijen e sekuestruar me sasinë e naftës, por është korruptuar nga një person tjetër.
Marvataj, ka lejuar kundrejt pagesës prej 10,000 euro, të dhënë nga personi me inicialet J. K., nxjerrjen e sasisë së naftës të ndodhur në anije, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit.
‘U bë i mundur arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë së Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, Inspektor Armand Marvatah, 21 vjeç, i dyshuar për ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 31 vjeç dhe D. M. 34 vjeç, të dyshuar për ‘Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore’ ,’Vjedhje e kryer në bashkëpunim’, dhe ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’“. njoftoi AMP.
Në vijim të veprimeve, janë proceduar në gjendje të lirë 7 persona të huaj, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.