Kosova sot voton! Rreth 2 milionë qytetarë i drejtohen kutive të votimit

2 Min Read

Kosova voton sot për të zgjedhur qeverinë e re, që do të drejtojë për katër vitet e ardhshme.

Përgjatë fushatës elektorale partitë bënë premtime të mëdha për të rritur pagat dhe pensionet, për të përmirësuar arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë.

Votimet e së dielës do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet e ngecura të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Procesi zgjedhor do të monitorohet nga një ekip prej 100 vëzhguesish nga Bashkimi Evropian, 18 nga Këshilli i Evropës dhe dhjetëra të tjerë nga organizata ndërkombëtare.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Deri tani, vendi ka zhvilluar disa palë zgjedhje të parakohshme.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.

Nga këto votime do të dalë përbërja e re e Kuvendit, i cili më pas do të zgjedhë qeverinë e re të vendit.

Share This Article
Leave a Comment