Fushata në Kosovë u karakterizua me diskurs të ashpër politik

2 Min Read

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, që ka monitoruar fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, tha se kjo periudhë është përshkruar me diskurs të ashpër politik, si në tubime ashtu edhe në hapësirën online.

Ismet Kryeziu tha se për shkak të ashpërsimit të gjuhës edhe gjobat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa këtë radhë ishin të shumta.

“Kemi parë që fushata ka qenë bukur e ashpër, kemi pasur një gjuhë dhe një përshkallëzim të retorikës që ka dëmtuar apo lënduar standardet demokratike, duke e ashpërsuar garën dhe duke e denigruar qoftë në aspektin personal, apo partiak, kandidatë të caktuar me akuza dhe kundërakuza”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se aspekt pozitiv i fushatës është zhvillimi i debateve dhe prezantimeve programore që kanë bërë partitë politike.

Eugen Cakolli tha se në 130 aktivitete të monitoruara, apo gati në çdo pesë aktivitet ka pasur gjuhë të urrejtjes, fyese dhe diskriminuese.

Kryeziu po ashtu tha se element i ri në këtë fushatë ishte edhe pjesëmarrja e më shumë partive të komunitetit serb dhe ka pasur një garë politike në komunat në veri të banuar me shumicë serbe.

“Kemi parë një garë politike në të gjitha komunat, për herë të parë ku në këto komuna kanë garuar gjashtë parti politike serbe dhe mund të themi se është shënuar një diversifikim i konkurrencës brenda këtij komuniteti për dallim nga herët e kaluara”, tha ai.

DnV tha po ashtu se gratë nuk e kanë pasur hapësirën e barabartë në tubime dhe po ashtu kanë qenë jo të barabarta edhe sa i përket financimit të fushatave të tyre.

Në garë për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka organizuar që nga shpallja e pavarësisë dhe nga to do të dalë përbërja e re parlamentare dhe ekzekutivi i ri i vendit./REL

Share This Article
Leave a Comment