Pas marrjes në pyetje nga SPAK, biznesmeni Gentjan Sula ka bërë kërkesë për kthimin e celularit të sekuestruar.
Burime bëjnë me dije se BKH i ka marrë telefonin në kuadër të një hetimi që po kryhet nga SPAK.
Sula e ka kundërshtuar këtë veprim dhe ka kërkuar që të hënën, GJKKO të shqyrtojë kërkesën e tij, pasi biznesmeni e konsideron këtë veprim si të paligjshëm.
Më 6 janar 2025, ai dëshmoi për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Biznesmeni nuk dhe deklaratë për mediat, dhe zyrtarisht nuk ka pasur një komunikim zyrtar se per çfarë çështje është marrë në pyetje Gentian Sula, megjithatë, sipas disa raportimeve mediatike, marrja e tij në pyetje mund të lidhet me banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili është nën hetim. Ky i fundit ka deklaruar se prej vitesh jeton në rezidencën “Kodra e Diellit”, që është zhvilluar nga firma e ndërtimit të Sulës.
Emri i Gentjan Sulës përmendet edhe në dosjen hetimore në ngarkim të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sipas hetimeve, biznesmeni Gentjan Sula i ka dhënë para cash nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, për të paguar kreditë.
Gentjan Sula, përmes firmës së tij të ndërtimit, ka marrë vitet e fundit tendera me vlerë dhjetëra milionë euro, të vlerësuara nga ekspertët me “flamur të kuq”, që tregon rrezikun e korrupsionit.
Ndërsa në prill të vitit 2021, qeveria “Rama” privatizoi me një çmim prej gati 1 mijë lekësh për metër, 55 mijë metra katrorë tokë në Hamallaj të Durrësit, në funksion të ndërtimit të fshatit turistik “Lalzi Marina” nga shoqëritë “Sviluppo Mare 1” dhe “S&D INVEST” që zotërohen nga biznesmenët Redi Peza dhe Gentjan Sula.