“Ne, Shtete Palë të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale,” shkruhet në deklaratë. “Gjykata shërben si një shtyllë jetësore për sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe garanton llogaridhënie për krimet më të rënda ndërkombëtare si dhe drejtësi për viktimat,” shkruhet më tej në të.
Sanksionet e Trump përfshijnë bllokim llogarish apo sekuestrim pronash, nëse prokurorët dhe punonjësit e gjykatës kanë të tilla në SHBA, apo refuzim hyrjeje në Shtetet e Bashkuara, nëse shkojnë për çfarëdolloj arsyeje, e njëjta formulë me të cilën administrata e parë e Trump dënoi disa udhëheqës politikë shqiptarë, përfshirë Vangjush Dakon e Tom Doshin, si dhe administrata Biden dënoi kreun e opozitës Sali Berisha.
Në rastin e gjykatës, sanksionet janë veçanërisht shqetësuese për shkak të fuqisë që kanë Shtetet e Bashkuara në sistemin financiar ndërkombëtar, gjë që mund të sjellë, në instancë finale, bllokim të aktivitetit të gjykatës. Si masë paraprake, gjykata mësohet se ka parapaguar rrogat e punonjësve për tre muajt e ardhshëm.
Gjykata u themelua në vitin 2002 dhe mes 125 shteteve palë është edhe Shqipëria.
Vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë, Rumaninë e Kroacinë, e nënshkruan deklaratën në mbështetje të gjykatës duke iu bashkuar vendeve të tjera nga e gjithë bota. Hungaria, Serbia e Italia janë nga vendet që nuk e nënshkruan deklaratën.
“Sot, gjykata po përballet me sfida të paprecedent,” shkruhet në letër. “Masat sanksionuese ndaj gjykatës, zyrtarëve dhe stafit apo atyre që bashkëpunojnë me të janë miratuar në përgjigje të veprimeve me të cilat gjykata ka vënë në zbatim mandatin e vet në përputhje me statutin e Romës,” thuhet më tej në deklaratë.
Ndryshe nga firmëtarët, kryeministri i Hungarisë ishte nga të paktët jofirmëtarë që shprehu publikisht qëndrimin e tij. Në një koment në X, ai hodhi idenë se Hungaria mund të dalë nga të qenit palë në gjykatë duke argumentuar se “erë e re po fryn në politikën ndërkombëtare. Ne e quajmë këtë Tornadoja Trump.”/ BIRN