Sali Berisha duket i prerë sa i përket votimit në Kuvend për ndryshet që kërkohen në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar votimin e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se nuk do të votojnë amendamentet e propozuara nga mazhoranca, për sa kohë nuk pranohet kushti i opozitës që emigrantët e diasporës të votojnë edhe me pasaporta apo dokumente biometrike, të përkatësisë së vendit ku jetojnë.
“Ne këtë moment e lidhim me, në qoftë se qeveria nuk do njohë dokumentet e identitetit të qytetarëve shqiptarë në vendet e huaja ku janë prodhuar, ne nuk votojmë amendamentet që kërkon qeveria. Pikë. Nuk i votojmë. Se ka kërkuar jo të lëvizin afatet, jo të bëhet kjo e ajo. Çfarë po kërkojmë ne? Që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Këta po kërkojnë që sa më pak shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Po qe se votojnë njohjen e dokumenteve, ne do votojmë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve. Ne nuk shkelim Kushtetutën, përkundrazi. Pse po e kushtëzojmë ne? Që t’u mundësohet e drejta kushtetuese atyre. Këta nuk e pranojnë duke shkelur të drejtën kushtetuese. Nuk e shkelim kurrsesi të drejtën kushtetuese ne. Po është evidente. Kushtetuta nuk thotë se është shtetas shqiptar ai që ka pasaportë shqiptare. Jo mo. Mund të kesh pasaportë greke, italiane dhe mund të jesh shtetas shqiptar. Ata po e bëjnë këtë. Ne në kundërpërgjigje nuk e votojmë këtë me datë 13. Prandaj kanë kohë gjer me datë 13 të mendojnë si të duan.” – tha lideri demokrat.
Më tej Berisha sqaroi se opozita është e gatshme që ta votojë që nesër amandamentin që shpenzimet e postës të paguhen nga buxheti i shtetit, pasi është porpozuar prej tyre, por jo në lidhje me ndryshimin e datave për publikimin e listave të kandidatëve për deputet.
“Nuk është e vërtetë. Ky ka qenë kushti ynë. Këtë amendament e votojmë ne. Nuk votojmë tjetrin ne, lëvizjen e afateve. Këtë që nesër, se është propozimi ynë, që emigrantët të mos paguajnë asgjë. Pse mos të paguajnë asgjë, sepse qytetarët në Shqipëri nuk paguajnë asgjë, thjeshtë për efekt barazie. Kjo rrjedh nga ky vendim. Këta kanë kërkuar lëvizje afatesh burokratike, këto nuk i votojmë ne, nëse ata nuk pranojnë të votojnë me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, emigrantët shqiptarë. Nuk mund të ngrihem kundër amendamentit që kam propozuar unë. Ai është amendament i propozuar nga ne. Nuk mund të mendohet që ne të votojmë kundër tij. Çfarë kanë propozuar ata, nuk votohet nga ne.” – tha Berisha.