Landfilli i Bushatit është një nga investimet më të mëdha të qeverisë në Bashkinë e Vaut të Dejës, që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë plot 4.16 milion euro.
Së pari, Vendimi i Këshillit Bashkiak, i delegon përgjegjësinë ndërmarrjes “Ndërkomunale Bushat” për të realizuar investimin për zgjerimin e landfillit të Bushtatit dhe përshtatjen e ambientit brenda tij, me një sipërfaqe shtesë 23 hektarë për trajtimin e mbetjeve inerte. Vetë shoqëria dhe bashkitë e tjera në qarkun e Shkodrës e Lezhës do të paguajnë për trajtimin e mbejtjeve bashkë me operatorët privatë dhe në këmbim, firma “Ndërkomunale Bushat” do të marrë 20% të vlerës së tarifave.
Së dyti, edhe pse kompania Becker Albania nuk merrte përsipër asnjë investim dhe asnjë risk për të gjetur tregun, pasi operon në kushtet e monopolit në 2 qarqe, në 2020 u vendos që kotrata t’i zgjatej edhe për 25 vite të tjera.
Së treti, afati jo vetëm që zgjatet, por tashmë dhe çmimi që bashkitë e qarqeve dhe operatorët privatë do të duhet të paguajnë rritet nga 1000 lekë në 1500 lekë. Një rritje çmimi pa bërë më parë një studim fizibilitieti nga ana e autoritetit që po ndryshon kontratën, për të parë kostot që duhet për përpunimin e mbetjeve, tarifën që del në bazë të këtyre kostove dhe marzhin e fitimit që duhet të ketë kompania që merr përsipër menaxhimin.
Shkurt, më shumë të ardhura për xhepin e kompanisë që po merr pa garë, në formë dhurate për plot 25 vjet, miliona euro xhiro të garantuara. Por nuk përfundon me kaq, sepse me kalimin e viteve, është shtuar edhe oreksi.
E gjithë kjo mrekulli vjen me shtesën e kontratës për 25 vjet, zgjerimin e objektit të mbetjeve që depozitohen në landfill dhe me shtrenjtimin e tarifave, që koincidon me ardhjen e pronarëve të rinj. Por kemi ende.
Pyetjet që ne i drejtojmë organeve të drejtësisë janë dy: Përse Bashkia e Vaut të Dejës lidhi kontratë pa garë për 25 vjet me firmën Becker, dhe a ka patur ndikim politik për të hyrë si pjesë e saj pronarët e rinj? /Piranjat