Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e ardhshme.
Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Zelensky ka thënë se është e rëndësishme që ata të takohen, para se Trumpi ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin.
“Mbase do të takohem me presidentin Zelensky javën e ardhshme”, tha Trump të premten.
Ai theksoi se vendtakimi “mund të jetë Uashingtoni”, duke shtuar se “unë nuk do të shkoj [në Kiev]”.
Trump është zotuar vazhdimisht se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila këtë muaj hyn në vitin e katërt prej kur Putini e nisi pushtimin e plotë më 24 shkurt 2022. Takimi do të ishte i pari mes tyre që nga fillimi i mandatit të ri të Trumpit më 20 janar.