Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pritur në selinë blu një delegacion prej 19 deputetësh gjermanë nga landi i Saksonisë drejtuar nga Deputeti Jan Lödfler, Zv. President i Forumit Parlamentar për Europën Qëndrore dhe Lindore.
“Duke u shprehur mbi të gjitha mirënjohjen më të thellë për ndihmën e jashtëzakonshme që taksapaguesit gjermanë i kanë ofruar Shqipërisë nëpërmjet financimit të qindra e qindra projekteve zhvillimore ndër vite, informova delegacionin e deputeteve mbi krizën e thellë demokratike që kalon Shqipëria sot.
Një krizë unike kjo në kontinent që prek kufijtë e të pabesueshmes por që faktohet më së miri nga eksodi masiv tragjik i shqiptarëve gjatë 10 viteve të fundit, në veçanti drejt Gjermanisë, me një shifër që i tejkalon 1 milion bashkëkombës të larguar, ose më shumë se 30% e popullatës.
Interesit të deputetëve gjermanë mbi sistemin e drejtësisë shqiptare, j’u përgjigja duke shpalosur një historik të mënyrës okulte sesi reforma në drejtësi u projektua nga fondacioni Soros dhe sesi kjo reformë e kapur tanimë, rezultoi në arrestimin dhe goditjen e njëpasnjëshme të liderave dhe të zgjedhurve të opozitës shqiptare. Ndërkohë në paralel, reforma mbron familjarët e pushtetarëve socialistë duke i lënë të lirë sipas shembullit të Olsi Ramës pavarësisht hetimit ndërkombëtar nisur në Hanovër të Gjermanisë.
Reforma e drejtësisë e ka çbërë totalisht sistemin e drejtësisë në veçanti për qytetarët shqiptarë duke mbledhur një stok prej 150.000 dosjesh që kërkojnë 20 vite për t’u trajtuar.