“Delluksi” i TikTokut prezantohet si kryebashkiak dhe i merr biznesmenit 6 mijë euro (Emrat)

2 Min Read

Një tjetër biznesmen në Tiranë ka rënë “pre”, duke u zhvatur përmes mashtrimit, ku mashtruesit i janë prezantuar si kryetari i një institucioni vendor.

Për rastin e fundit, blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se e kanë zbardhur dhe si rezultat kanë arrestuar një person dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër.

Në kuadër të operacionit të koduar “Unknown” është vënë në pranga Ervis Belollari, 26 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi Arsen Matollari, 32 vjeç.

Mësohet se ata kanë telefonuar biznesmenin, ku i kanë kërkuar 6 mijë euro, duke u prezantuar si një kryebashkiak dhe më pas kanë lënë takim, ku kanë marrë shumën lekëve. Momenti i marrjes së lekëve ka qenë i filmuar me kamera sigurie.

Burime bëjnë me dije se Ervis Belollari, është një personazh i njohur në rrjetin social “TikTok”, ku njihet dhe me nofkën “Delluksi”, teksa ka punuar dhe si aktor figurant në serialet turke.

Biznesmeni i mashtruar rezulton të jetë nga qyteti i Lushnjes dhe kishte aktivitet në tregun e bimëve medicinale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se mashtruesit me të njëjtën skemë kanë zhvatur edhe biznesmenë të tjerë në të kaluarën, duke u prezantuar si Taulant Balla, Pjerin Ndreu, Artan Lame, Erion Veliaj etj.

Share This Article
Leave a Comment