Cagliari si ekip shqiptar, Nicola prezanton blerjen e re: “E kam parë vetëm në video”

3 Min Read

Merkatoja (e munguar) e Cagliari gjatë sesionit dimëror ka shkaktuar shumë polemika. Skuadra sarde nisi fuqishëm në ditët e para të janarit, duke realizuar shkëmbimin Scuffet-Caprile me Napolin dhe duke siguruar një titullar të vlefshëm që ka treguar menjëherë vlerat e tij (duke ulur në stol Alen Sherrin). Por më pas, asgjë – të paktën në aspektin e afrimeve. E tani, edhe më keq, tekniku Davide Nicola ka deklaruar se në skuadër është afruar një lojtar, të cilin e ka parë vetëm në video. Një situatë e zakonshme për klubet shqiptare, por jo për sardët që luajnë në Serie A.

Nga Cagliari u larguan Ëieteska, Azzi dhe Lapadula, por nuk u erdhi asnjë zëvendësues. Nicola kishte nevojë urgjente për një mbrojtës që të lehtësonte ngarkesën e Zappa dhe për një sulmues që të mbështeste Piccoli, por klubi nuk ia plotësoi kërkesat. Vetëm në orët e fundit të merkatos, drejtuesit sprovuan një bast: Florinel Coman, një sulmues anësor rumun i lindur në 1998, i ardhur në formë huazimi nga klubi Al-Gharafa në Katar. Problemi? Pothuajse askush nuk e njeh. Madje, as vetë trajneri Nicola.

Deklarata e Nicolas: “E kam parë vetëm në YouTube”

Të hënën në mbrëmje, Cagliari u mposht në shtëpi nga Lazio me rezultatin 1-2, në të njëjtën ditë kur u mbyll merkatoja dimërore. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri u pyet edhe për blerjen e re.

Me sinqeritet të plotë, ai u përgjigj: “Nuk e njoh Coman, por mezi pres ta zbuloj. Për të qenë i sinqertë, e kam parë vetëm në YouTube, por duket se ka shpejtësi të mirë dhe është i aftë në duelet një kundër një.”

Një deklaratë që ka habitur të gjithë. Si ka mundësi që një klub i Serie A të blejë një lojtar në janar, pa e njohur fare trajneri? Si mund të përshtatet Coman në këtë skuadër, veçanërisht kur luan në të majtë, ku Felici po paraqitet mirë dhe shumë shpejt do të rikthehet edhe Luvumbo? Tifozët sardë kanë shumë pyetje, por pak përgjigje.

Share This Article
Leave a Comment