Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse. Këto kamera u kontraktuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në fund të vitit 2024, përmes një procesi tenderues, ku fitues doli kompania Besa Security, e cila ofertoi me çmimin prej rreth 699 mijë eurosh.
Në këtë tender parashihej furnizimi me rreth 2.500 kamera, të cilat do të shërbejnë për të vëzhguar vendvotimet dhe për të dëshmuar parregullsitë e mundshme gjatë procesit. Besa Security i tha Radios Evropa e Lirë se, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, nëntorin e kaluar, kishte bërë porosinë për këto kamera të prodhuara nga kompania kineze Uniview, për të cilën thotë se është distributore ekskluzive për territorin e Kosovës.
“Roli që qeveria amerikane thotë se Uniview ka pasur është ofrimi dhe, në disa raste, projektimi specifik i pajisjeve dhe softuerëve të mbikëqyrjes, që i lejuan Partisë Komuniste të Kinës t’i identifikonte dhe t’i monitoronte këto grupe etnike”, shpjegon Reid Standish, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Pragë, i cili fokusohet në çështjet globale që lidhen me Kinën.
Shtypja e grupeve etnike në Shinxhiang filloi në vitin 2017, dhe mori hov në vitet e mëvonshme, duke pasur në shënjestër ujgurët dhe grupet e tjera myslimane në Kinën perëndimore, si kazakët etnikë dhe kirgizët.
“E gjithë Kina është e mbikëqyrur rëndë dhe mbështetet në kamera dhe programe të të ashtuquajturit “Qyteti i mençur”, por, gjatë kësaj periudhe, Shinxhiangu u bë një nga vendet më të mbikëqyrura në botë”, thotë tutje Standish.
“Fushata [e shtypjes] çoi në krijimin e një sistemi të gjerë kampesh në Shinxhiang, ku njerëz nga këto grupe etnike u mblodhën dhe u vendosën në të ashtuquajturat kampe të ‘riedukimit’, ku ata u detyruan të mësonin kinezisht, të këndonin këngë patriotike, të mësonin doktrinën e Partisë Komuniste dhe, në shumë raste, iu nënshtruan shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”, shpjegon ai.
Standish shton se “Uashingtoni dhe shumë vende perëndimore e kanë cilësuar këtë situatë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, ndërsa disa organizata ndërkombëtare e kanë quajtur madje spastrim etnik”.
“Shqetësimet mbi të dhënat burojnë pjesërisht nga fakti se sistemet e mbikëqyrjes mbështeten në një farë mase në pajisjet dhe softuerët e prodhuesit të kamerave”, thotë Standish.
Ai shton se përdoruesit finalë mund të vendosin sistemet e tyre të ruajtjes [së të dhënave] dhe të rrjetit, por “të dhënat gjithsesi kalojnë përmes softuerëve të dizajnuar nga prodhuesi, dhe shpesh dërgohen në serverët e kompanisë në Kinë, përmes resë [kompjuterike]”.
“Nuk ka asnjë provë apo rast që tregon se këto kamera janë përdorur për ndërhyrje, e aq më pak për të ndikuar në një zgjedhje. Por, në një kohë kur integriteti i zgjedhjeve është një çështje e madhe në demokracitë e sotme, dobësitë e markave të ndryshme ngritin mundësinë e ndërhyrjeve të jashtme”, thekson Standish.