Lazio do të duhet të bëjë pa Elseid Hysaj për ndeshjet e ardhshme. Mbrojtësi shqiptar iu nënshtrua testeve mjekësore dhe instrumentale, të cilat, sipas njoftimit të klubit, konfirmuan një “dëmtim të shkallës mesatare në bicepsin femural të kofshës së majtë”, i pësuar gjatë ndeshjes së fundit kundër Cagliari, kur ai u detyrua të linte fushën. Futbollisti tashmë ka nisur trajtimin specifik dhe do të monitorohet klinikisht çdo ditë për të përcaktuar kohën e rikuperimit.
Lazio duhet të marrë një vendim për listën e UEFA-s
Hysaj, nga një figurë dytësore, është kthyer në protagonistin kryesor te Lazio nw javwt e fundit. Gjithçka lidhet me të, përfshirë listat dhe strategjitë për formacionin. Dje, të gjitha sytë ishin te mbrojtësi shqiptar, i cili u paraqit në klinikën “Villa Mafalda” në orën 18:30. Vetëm dy orë më vonë, Lazio publikoi raportin mjekësor, duke konfirmuar dëmtimin e shkallës mesatare. Klubi nuk dha një afat të saktë rikuperimi, por lajmi i mirë është se nuk bëhet fjalë për një këputje të muskujve, çka ishte frika më e madhe e lojtarit.
Shpresa e bardhekaltwrve është ta ketë sërish në dispozicion brenda një muaji, por skenari më realist është rikthimi i tij pas 45 ditësh. Nëse ai rikuperohet brenda afatit optimist, mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Europa League më 13 mars. Përndryshe, do të mungojë në të dyja takimet. Gjithçka do të vlerësohet në javët e ardhshme, bazuar në ecurinë e rikuperimit të tij.
Dilemat për listën e UEFA-s
Hysaj është pjesë e listës së Serie A, por a do të përfshihet edhe në listën e UEFA-s? Lazio e ka shtyrë vendimin përfundimtar për sot. Pellegrini pritet të mbetet jashtë listës evropiane, por ende nuk është konfirmuar. Nëse ai largohet, vendin e tij mund ta marrë Hysaj (edhe pse i dëmtuar) ose mesfushori Belahyane. Një opsion tjetër është spostimi i Gila në krahun e mbrojtjes, gjë që mund të bëjë që trajneri të heqë dorë nga Hysaj për të përfshirë marokenin Belahyane.
Lexo më tej: Hysaj rifiton vendin, titullar e asist, pastaj dëmtim: Lazio thyen Cagliarin
Nëse Lazio dëshiron të regjistrojë si Hysaj, ashtu edhe Belahyane, duhet të bëjë një tjetër shkurtim në listë, dhe kandidati kryesor për këtë është sulmuesi Tchaouna, i cili nuk ka bindur trajnerin dhe ishte në prag të një largimi nga klubi në merkaton e dimrit. Për momentin, nga lista e UEFA-s do të mbeten jashtë Basic, Provstgaard dhe Ibrahimovic.
Lajm i mirë për Lazion: rikthehen Lazzari dhe Tavares
Ndërkohë që Hysaj është jashtë, Lazio ka rikuperuar dy mbrojtës të tjerë: Lazzari dhe Tavares. Ata u kthyen në stërvitje dje dhe po përgatiten për të qenë të gatshëm që nga ndeshja kundër Monzës të dielën. Lazzari pësoi një dëmtim në rotulën e gjurit në fillim të janarit, ndërsa Tavares ka qenë jashtë që nga 25 janari për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë. Rikuperimi i tyre ka ardhur shpejt dhe do të kenë vetëm katër seanca stërvitore të plota para takimit me Monzën.