Propozimi nuk është finalizuar, por Izraeli po bën gati planin për dëbimin e palestinezëve nga Gaza. Ministri i mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë që të përgatisë një plan për të mundësuar “zhvendosjen vullnetare të popullatës nga Rripi i Gazës”, pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, për boshatisjen dhe rindërtimin e enklavës së shkatërruar nga lufta.
Këtë e raportojnë mediat e shteti hebre. “Popullatës në Gaza duhet t’i mundësohet të gëzojë lirinë e lëvizjes dhe të emigracionit”, thekson Katz. Në të njëjtën kohë, ministri pretendon se do të vihet në zbatim propozimi për rindërtimin e një Gaze të çmilitarizuar, në epokën pas Hamasit, “një projekt që do të marrë shumë vite për t’u përfunduar”.
Megjithatë, Irani është bërë shteti më i fundit që refuzon kategorikisht planin e Trump për dëbimin e palestinezëve, që është dënuar nga mbarë bota Arabe, Bashkimi Europian, Kina, Rusia dhe Britania. Duke parë reagimet që ka nxitur, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka nxituar që sqarojë se plani i Trump për Gazën nuk duhet të merret si një lëvizje armiqësore.