TIRANA- Gjykata e Posaçme ka hedhur shortin për gjyqin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe për të bashkëpandehurit për aferën e “Sterilizimi”. Mësohet se shorti ka përzgjedhur gjyqtarin Bib Ndreca si kryesues të procesit.
Ndërkohë ditët në vijim do të caktohet data e seancës së parë. Në këtë gjykim ish-ministri do të përballet me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Më 23 janar, Gjykata e Posaçme dërgoi për gjykim dosjen e “Sterilizimit” dhe në reagimin e saj zyrtar ka publikuar akuzat që rëndojnë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt dhe 8 të ish-zyrtarëve të tjerë. Beqaj akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Biznesmeni Klodian Rrjepaj akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ilir Rrapaj akuzohet për “Vjedhje” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Në njoftimin e GJKKO thuhet se 8 të pandehurit Klodian Rjepaj, Ilir Rrapaj, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi (Abazi), kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.