Deklarata e presidentit Donald Trump se SHBA mund të marrë kontrollin e Rripit të Gazës ka shkaktuar një valë tronditëse në Lindjen e Mesme.
Mjaft vende dhe analistët e kundërshtojnë atë.
Ishte deklarata e Trumpit për marrjen e Gazësnga SHBA nën kontroll ajo që shkaktoi më së shumti reagime. Trump tha se Amerika duhet të marrë Rripin e Gazës nën kontroll. “Të gjithë me të cilët kam folur e pëlqejnë idenë që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll këtë pjesë toke, duke krijuar mijëra vende pune”, tha ai në paraqitjen e përbashkët me kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi tha se dëshiron të transformojë Gazën në “Rivierën e Lindjes së Mesme” ku “do të jetojnë njerëzit nga mbarë bota”.
‘Një shpërqendrim dhe rrugë pa krye’
“Këto deklarata se ne do të marrim këtë vend nën kontroll mund të përmbysin konsensusin dypartiak në SHBA. Kjo ide nuk është as praktike,” thotë Brian Katulis, nga Instituti për Lindjen e Mesme. Kjo rrugë, sipas tij, nuk të çon askund. Pra, është një shpërqendrim i vëmendjes dhe nuk ka gjasa të prodhojë ndonjë rezultat domethënës.”
Nga ana e tij, Netanyahu u duk sikur e pranoi këtë ide të Trumpit, duke thënë se ia vlen t’i kushtohet vëmendje dhe se është “diçka që mund të ndryshojë historinë”. Pranimi në dukje i Netanyahut që SHBA të marrë nën kontroll Rripin e Gazës është një lehtësim për te, në krahasim me presionin e vazhdueshëm që vinin ndaj tij prej dministratës Biden, i cili kërkonte një plan më real.
“Deri më sot, edhe pse është në fuqi armëpushimi, nuk ka asnjë plan real për qeverisjen në Rripin e Gazës. Ai [Netanyahu] kundërshtoi hyrjen e autoriteteve palestineze atje,” tha Katulis, duke shtuar se kryeministri izraelit mund të jetë shumë i kënaqur me idenë që SHBA të marrë kontrollin, por askush tjetër nuk mendon se ajo është vërtret reale.
A do të qëndrojë marrëveshja e armëpushimit?
Armëpushimi do të skadojë në mars, nëse Izraeli dhe Hamasi nuk arrijnë marrëveshje për vazhdimin e tij. Hamasinuk dëshiron të lirojë më shumë pengje nëse Izraeli nuk e ndalon luftën dhe nuk tërhiqet nga Gaza. Ndërkohë që Izraeli përsërit vazhdimisht se do të shkatërrojë Hamasin.
“Çmimi që Hamasi do të kërkojë për lirimin e ushtarëve izraelitë do të jetë shumë i lartë,” thotë Jon Alterman, Drejtor i Programit për Lindjen e Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). Ndërsa Izraeli kërkon largimin përgjithmonë nga skena të Hamasit. E kjo mund të rëndojë negociatat. Propozimet e deritanishme për shkëmbime nuk janë pranuar. Negociatat kanë ngelur në vendnumro dhe nuk dihet nëse do të kenë sukses.
Pas vizitës gati njëjavore të Netanyahut në SHBA, Izraeli do të dërgojë në Katar një delegacion në negociata rreth marrëveshjes për vazhdimin e armëpushimit me Hamasin. Por Alterman nuk është i sigurt për perspektivën e paqes atje. “Unë nuk jam i sigurt se lufta ka përfunduar atje”, tha ai.
Në fazën e dytë të negociatave duhet të bisedohet edhe për projektin e madh të normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Por kjo duket tani shumë larg. Mes tyre ka mosmarrëveshje shumë të mëdha për të ardhmen dhe statusin e Rripit të Gazës.
“Pa një plan të besueshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete, që përfshin Gazën për palestinezët, asnjë nga këto plane nuk do të rezultojë me sukses,” thotë Katulis nga Instituti i Lindjes së Mesme. “Sauditët nuk do ta pranojnë ndonjë zgjidhje që nuk përfshin krijimin e dy shteteve”.