Në 14 shkurt, ora 12:00, Gjykata e Posaçme do të shpallë vendimin në lidhje me kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të të pandehurve të dosjes “5D”. Të pandehurit Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Këtë të martë, përfundoi seanca paraprake për dosjen “5D”. Gjykata e Posaçme pasi dëgjoi SPAK dhe palët vendosi që të shprehet më 14 Shkurt, nëse do të kalojë apo jo çështjen për gjykim. Hetimet nga akuza u mbyllën në muajin Dhjetor nga SPAK dhe dosja u dërgua për gjykim.
Për këtë çështje, SPAK ka çuar edhe fraksionin e dytë për gjykim javën e parë të muajit janar, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.