Rrëshqitja e dherave rrezikon banesat në Porto Romano, banorët të shqetësuar

2 Min Read

Një sipërfaqe e konsiderueshme kodrinore në zonën e Porto Romanos në Durrës është në prag të shembjes, pas shirave të fundit që prekën qytetin e Durrësit. Banorët e zonës ndihen të frikësuar për jetën dhe shtëpitë e tyre, pasi situata është alarmante. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, pasi ngrenë dyshime se ky fenomen ka ardhur si pasojë e punimeve për ndërtimin e parkut urban të Spitallës.

Shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë Durrësin nuk shkaktuan vetëm përmbytje, por kanë krijuar edhe rrëshqitje të tokës në zonën e Porto Romanos duke alarmuar banorët që ndihen të rrezikuar për banesat dhe bizneset e tyre.

Çarjet në tokë janë të dukshme në një segment prej më shumë se 1 km, ndërsa kodra përreth ka pësuar plasaritje në disa vende.

“Situata është shumë e rrezikshme për të gjithë banorët e kësaj zone. Rrëshqitja rrezikon të gjitha banesat dhe ndërtesat. Kërkojmë ndërhyrjen e bashkisë. Po s’u mor një masë, do bëhet çdo ditë e më keq.”

Zona ku ka ndodhur rrëshqitja është pjesë e një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e Parkut Urban të Spitallës, me një fond prej rreth 1 miliard lekësh. Punimet përfshijnë edhe mbylljen e kanalit të ujërave të larta, por banorët shprehen të zhgënjyer nga cilësia e tyre dhe nga mungesa e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë problem.

Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit ka konfirmuar se është në dijeni të problematikës, por sipas autoriteteve vendore, situata e krijuar nuk ka lidhje me punimet për rehabilitimin e kanalit. Për të analizuar situatën, ekspertë gjeologë nga Tirana pritet të kryejnë një studim të detajuar për të zbuluar shkaqet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për ndërhyrje.

/Euronews Albania/

Share This Article
Leave a Comment