Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, se në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor, Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit, shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për gjetjen e tij.
Policia e Shtetit sqaron se shtetasi Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”.
Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e këtij shtetasi. Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.