“Messi as anglisht nuk di”, CR7 sfidon Pele: “Jam më i kompletuari që ka ekzistuar”

6 Min Read

Të mërkurën, Cristiano Ronaldo do të mbushë 40 vjeç – ai ka lindur në Funchal më 5 shkurt 1985 – dhe vazhdon të shënojë gola me një rregullshmëri mbresëlënëse. Dygolëshi i djeshëm në Ligën e Kampionëve të Azisë, ku realizoi një gol me kokë pas një kërcimi monstruoz, dëshmon për një gjendje fizike që shumë lojtarë shumë më të rinj se ai vetëm mund ta ëndërrojnë. Kjo e çon bilancin sezonal të CR7 në 23 gola (dhe 4 asiste) në 25 ndeshje të luajtura, me objektivin e 1000 golave gjithnjë në horizont (aktualisht ka arritur në 923).

Rastin e ditëlindjes, Ronaldo e shfrytëzoi për një bisedë të gjatë me mikun e tij, gazetarin Edu Aguirre, i cili në fund i bëri pyetjen e madhe: “A je më i miri i historisë?”. CR7 nuk u mendua dy herë dhe nuk pati modesti të rreme: “Mendoj se po, nuk kam parë askënd më të mirë se unë. Po ta them nga thellësia e zemrës”.

Ronaldo nuk ka dyshime: “Jam më i miri në histori, lojtari më i kompletuar”

Ronaldo më pas shpjegoi pse ai është lojtari më i kompletuar që ka ekzistuar ndonjëherë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për shënimin e golave: “Nuk jam mëngjarash dhe jam në Top 10 e lojtarëve që kanë shënuar më shumë gola me këmbën e majtë… dhe me kokë, nga penalltitë, nga goditjet e dënimit… e për të djathtën nuk po flasim më. Mendoj se jam lojtari më i kompletuar që ka ekzistuar ndonjëherë. Mund të preferosh Pelé, Messin, Maradonën, e kuptoj dhe e respektoj, por të thuash që Cristiano nuk është i kompletuar është gënjeshtër. Unë jam më i kompletuari. Jam golashënuesi më i mirë i historisë. Pikë”.

”.

I njëjti besim absolut u pa edhe kur u fol për objektivin e 1000 golave në karrierë: “Njerëzit më bëjnë presion për 1000 gola. Unë shënoj shumë, por ata nuk i japin vlerë golave të mi, thonë vetëm ‘edhe 85 të tjerë’. Nuk më pëlqen kjo. Nëse e mbyll karrierën me 920, 925, 930 gola… nuk më intereson fare. Jam golashënuesi më i mirë i historisë. Pikë. Këtë e thonë shifrat. Nëse arrij 1000 gola, fantastike. Nëse jo, nuk ka problem”.

Ronaldo kujton që Messi nuk flet anglisht: “I bëra përkthyes në një ceremoni”

Sa i përket rivalitetit me Lionel Messin, CR7 pati vetëm fjalë respekti për fituesin e tetë “Topave të Artë”, por përmendi edhe një detaj interesant: “Për 15 vjet kemi ndarë skenën e çmimeve dhe kemi pasur gjithmonë një raport të mirë. Një herë i bëra përkthyes në një ceremoni sepse nuk e kuptonte anglishten, ishte qesharake. Messi më ka trajtuar gjithmonë mirë, ai ka mbrojtur klubin dhe kombëtaren e tij, unë kam bërë të njëjtën gjë me të miat. Kemi nxitur njëri-tjetrin, ashtu siç ndodhte me Senna dhe Prost në Formula 1”.

“MLS është një kampionat më i dobët se ai saudit”

Portugezi gjithashtu hodhi poshtë kritikat për kampionatin ku ai luan, duke theksuar se niveli i Ligës Saudite është më i lartë se ai i Major League Soccer në SHBA, ku luan Messi: “A është MLS një kampionat më i dobët? Sigurisht që po. Por për faktin që është Arabia Saudite, e shohin me përçmim. Por unë e di që njerëzit flasin pa e ditur realitetin…”.

Ronaldo dhe besimi i tij i palëkundur: “Nuk është faji im që jam më i famshmi”

Si gjithmonë, CR7 e mbylli intervistën me një shprehje plot vetëbesim: “Nuk është faji im që jam më i famshmi dhe më i ndjekuri. Të shkoj në një bar dhe të mos më njohin? Pse duhet të mendoj për diçka që nuk është e mundur? Unë jam ndryshe. Pikë. Historia nuk gënjen, shifrat nuk gënjejnë, në futboll dhe jashtë tij. Prandaj nuk kam nevojë të mburrem. Apo duhet të mburrem për diçka që është e vërtetë?”.

Share This Article
Leave a Comment