Agjencia amerikane USAID, që shpërndan miliardë Dollarë ndihmë monetare në gjithë botën, mund të jetë drejt mbylljes.
Njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, që është i angazhuar për të reduktuar kostot e shpenzimeve federale amerikane, thotë se Presidenti Donald Trump ka pranuar mbylljen e USAID.
Sipas tij, Trump ka nënshkruar mbylljen e agjencisë.
Selia e USAID në Uashington, gjatë ditës së sotme ishte e mbyllur, teksa punonjësit ishin njoftuar me email që të qëndronin në shtëpi dhe të mos paraqiteshin në punë.
Përplasja erdhi pasi përfaqësues të Departamentit amerikan Doge që drejtohet nga Elon Musk për të reduktuar shpenzimet qeveritare, nuk u lejuan të hyjnë në godinën e USAID. Dy punonjës të lartë të kësaj agjencia u pushuan më pas nga detyra me urdhër të administratës Trump.
Aktualisht, fondet e USAID janë ndërprerë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, përmes së cilës merrnin fonde një sërë institucionesh shtetërore.