Dy muaj mungojnë tashmë deri në nisjen e fushatës kualifikuese të Botërorit 2026 dhe me dëmtimet e shumta të pësuara kohët e fundit, tekniku Sylvinho dhe stafi teknik i Kombëtares janë duke vëzhguar me kujdes lojtarët e tyre të rëndësishëm. Braziliani ishte në San Siro për të ndjekur derbin e Milanos dhe për tu takuar me Kristjan Asllanin, por prezenca e ish-ndihmësit të Mancinit në stadium nuk ka kaluar pa u vënë re. Paolo Bonolis, prezantuesi i njohur italian, tifoz i madh i Inter, e ka ndjekur me sy hetues brazilianin, duke qenë se ishte në një ndeshje për të parë një lojtar që nuk luante.
Në kuadër të turit të monitorimit të lojtarëve shqiptarë që luajnë në Europë, stafi teknik i Kombëtares u ndal këtë fundjavë në Milano, ku u zhvillua derbi i Madoninës, Milan-Inter. Sylvinho dhe dy asistentët, Doriva dhe Pablo Zabaleta, ishin të pranishëm në “San Siro” për të ndjekur nga afër paraqitjen e mesfushorit shqiptar të Inter, Kristjan Asllani. Vetëm se mesfushori dihej që nuk do të luante, duke qenë se Calhanoglu ishte rikuperuar dhe Inzaghi do të zbriste në fushë me turkun. Për këtë arsye Bonolis ishte i habitur për një trajner kombëtare, që ishte në stadium për një lojtar që qendroi gjithë ndeshjen në pankinë.
Lexo më tej: Në Angli me vonesë: Sylvinho “humbi” Bajramin e ndoqi Mehmetin në Bristol–Blackburn
Sidoqoftë, pasi dështuan ta shihnin në fushë, pas përfundimit të ndeshjes, stafi teknik zhvilloi një takim me Asllanin ku diskutuan mbi ecurinë e tij te klubi, formën aktuale dhe përgatitjet për grumbullimin e ardhshëm të Kombëtares për kualifikueset e Botërorit.