Problematika të mprehta me sigurinë ushqimore në Shqipëri

6 Min Read

Siguria ushqimore është një prej problemeve që shqetësojnë më së shumti konsumatorëve shqiptarë. Ata e shprehin hapur mosbesimin, apo pasigurinë për produktet që blejnë, qofshin këto fruta përime, me origjinë shtazore apo dhe të tjera.

Burimin e këtyre shqetësimeve të qytetarëve, mjaft eskpertë e gjejnë të shtrirë ndër vite, te problemet që mbart industria e përpunimit ushqimor dhe sektori bujqësor si paqartësia e pronës, parcelizimi i tokës, informaliteti, edukimi i punonjësve apo qasja në sistemin financiar bankar.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë, vendeve të BE dhe vendeve të tjera, shoqërohen me politika kontrolli, përsa i takon sigurisë ushqimore. Sipas protokolleve të caktuara ka disa parametra që duhen të plotësojnë produktet ushqimore, fjala vjen në vendet e BE, të cilat kanë ngritur një sistem alarmi të shpejtë për produktet ushqimore, që ndryshe quhet RASFF.

Në Shqipëri siguria ushqimore monitorohet nga Autoriteti Kombëtar i veterinarisë dhe Mbrojtjes së bimeve dhe Autoriteti Kombëtar i ushqimit. I pari përgjegjës për prodhimin bujqësor dhe blegtoral në fermë (mes të tjerash edhe për përdorimin e pesticideve dhe antibiotikëve) dhe i dyti për sigurinë e të gjitha produkteve ushqimore që ndodhen në treg. Në bazë të një plani kombëtar të ndërtuar mbi rrezikun që paraqesin produktet ushqimore, ku ato me origjinë shtazore mbajnë vendin e parë, këto institucione kryejnë kontrolle në gjithë vendin. Ekspertët këmbëngulin te gjurmueshmëria, pra zinxhiri që ndjek produkti nga operatori ekonomik që e prodhon deri te konsumatori. Ata thonë se ende ka mjaft probleme në këtë drejtim, edhe pse fermerët detyrohen me ligj të mbajnë vetë gjurmueshmërinë.

Në vend ka vetëm dy laboratorë zyrtarë, që kryejnë analiza të produkteve ushqimore, ai Aku dhe ai i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. Gjatë vitit 2024 AKU dërgoi në ISUV mbi 1 mijë e 10 monstra të fruta perimeve dhe rreth 9% e tyre rezultuan me mbetje mbi normë të pesticideve.

Në total AKU ka kryer mbi 30 mijë inspektime në vitin 2024, që kishin në fokus të gjitha produktet ushqimore në tregje, të cilat janë shoqëruar me masa në rastet e shkeljeve, si paraljmërime, gjoba, bllokim produkti, ndërprerje aktiviteti apo kthim në vendin e origjinës.

Që prej vitit 2022, fermerët detyrohen të mbajnë regjistrin e përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ose siç quhen ndryshe të pesticideve. Por sërish Autoritetti Kombëtar i Veterinarisë dhe i Mbrojtjes së Bimëve që kontrollon prodhimin në fermë, ka vërejtur shkelje.

Por këto kontrolle nga AKU dhe AKVMB janë kryer në subjekte tregtare formale. Ndërkohë në mjaft njësi vendore, tregtimi informal i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në rrugë dhe trotuarë, kryesisht nga tregtarë të vegjël, mbetet një problem kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore. Në këto raste përgjegjësia i kalon pushtetit vendor, për ndalimin e aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj e pranoi se sistemi i gjurmueshmërisë ka dobësi, ndaj dhe autoritetet po punojnë në këtë drejtim tha ajo.

Znj. Denaj konfirmoi ndërtimin e një rrjeti laboratorësh rajonal, me ndihmën e bankës botërore, një fond prej 20 milion eurosh, që i vjen në ndihmë gjurmueshmërisë.

Nga ana tjetër aktivistë në mbrojtje të konsumatorëve insistojnë në rritjen e numrit të inspektimeve nga dy autoritetet si dhe në informimin e konsumatorit për produktet e gjendura në shkelje të normave.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se asgjësimet janë kryer në të gjitha rastet kur produket ushqimore janë gjetur jashtë standardeve dhe se konsumatorët janë njoftuar në kohë.

Një nga problemet më të mëdha që veçojnë ekspertët në sistemin bujqësor është fragmentarizimi, ose thënë ndryshe, fermat e vogla, që pengojnë zhvillimin ekonomik, subvencionet në bujqësi, dhe për pasojë sjellin problematika në sigurinë ushqimore. Sot 36 % e fermave blegtorale kanë 1 deri në 5 krerë lopë, ndërsa vetëm 11% e fermave kanë mbi 50 krerë. Nga ana tjetër dhe shumica dërrmuese e 350 mijë fermave bujqësore janë të vogla.

Ministrja e Bujqësisë i konfirmoi Zërit të Amerikës se bashkimi i fermerëve po nxitet që prej vitit të kaluar prej kushteve të reja në subvencionim.

Autoritetet janë zotuar se gjatë këtij viti do të përafrojnë legjislacionin për sigurinë ushqimore më atë atë BE, një nga mangësitë e evidentuara nga Komisioni Europian. Siguria ushqimore është një sfidat më të cilat ndeshen edhe vendet e zhvilluara, por në një vend si Shqipëria, ku disa hallka të zinxhirit të industrisë ushqimore janë me të dobëta këto sfida bëhen edhe më të mëdha.

/voa/

Share This Article
Leave a Comment