Elmas Bogdani
Prokuroria e Posaçme (SPAK) reagoi ditën e djeshme lidhur me ngrirjen e fondeve nga administrata amerikane deri në një rishikim të dytë pas 90 ditësh, pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja. Pas lajmit nga Shtëpia e Bardhë, mafia dhe pushtetarët e korruptuar në politikë filluan festën duke menduar se SPAK tashmë do të shkrihet. Por drejtuesi Altin Dumani sqaroi se SPAK si institucion i pavarur mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit ndërsa mbështetja SHBA konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.
“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve” thuhet në reagimin e SPAK. Pra Dumani e bën të qartë se SPAK disponon burime të mjaftueshme për të vijuar hetimet dhe se asnjë përpjekje për të penguar punën e tyre nuk do të ketë sukses.
Arrestime të bujshme