“Dhuruam një gol sapo filloi loja, gjithashtu dhe goli i dytë ishte një tranzicion. Sapo filloi dhe pjesa e dytë pësuam të tretin dhe u bë më keq”. Bledar Devolli pëson një tjetër humbje, kur Teuta e tij u mposht 1-3 nga Vllaznia në Niko Dovana. Tekniku gjirokastrit nuk po mundet dot të ndalë rënien e skuadrës, edhe pse e ka një ide: “Duhet të jemi të përulur dhe të bëhemi të gjithë bashkë që të dalim nga kjo situatë. Edhe fati është pjesë e lojës, nga unë i pari duhet të marrim përgjegjësi bashkë me lojtarët”.
Sidoqoftë, Devolli i del në ballë krizës dhe mbron lojtarët: “Nuk jam nga ata trajnerë që ia hedh fajin një reparti apo tjetri, kur fitojmë e bëjmë të gjithë dhe kur humbasim është po e njëjta. Të gjithë bashkë duhet të jemi të përulur në stërvitje dhe të përpiqemi të dalim nga kjo situatë – tha ai, duke shtuar -. Kishim përgatitur diçka që në fillim të ndeshjes, por nuk na doli duke pësuar golin e dytë, nga një anë është dhe fati. Nga nesër fillojmë përmirësohemi dhe të eliminojmë gabimet. Nuk e ka fajin vetëm mbrojtja në këtë mes”.
Lexo më tej: Vllaznia trondit Teutën: Mala 110″ për golin e parë, humbja e dytë e Devollit
BRDARIC: “E LEHTË, KUR E BËN TË LEHTË”
“Jam i lumtur që performuam kështu në Durrës, shënuam 3 gola. Patëm problem se pësuam 1 gol, por ndodh në futboll. Procedura që ndoqëm nga ndeshja me Egnatian, nuk arritëm të shënonim fatkeqësisht. Kemi objektiv të qartë si duam të luajmë futboll. Rrugëdaljet ishim shumë të mira, sot mund të shënonim 7-8 gola, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. Kështu e nisi Thomas Brdaric deklaratën e tij pas ndeshjes së fituar nga Vllaznia 1-3 me Teutën. Tekniku gjerman vlerëson kuqeblutë dhe mbron performancën e të tijve: “Mund të jetë e lehtë, kur e bën të lehtë. E dimë që Teuta do të luante ndryshe në pjesën e dytë, do të na detyronte për disa gabime. Shënuam në kohën perfekte të pjesës së dytë, gol i bukur nga Dodaj që na ndihmoi, na dha shtysë. Nuk mund të shpëtosh çdo gjë, sidomos në fushë kundërshtare. Teuta ekip i fortë, ka probleme në renditje, por prandaj janë të rrezikshëm. Nuk e lejuam të kthehej në lojë, prandaj jam i lumtur me performancën e ekipit sot”.