Një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” të mërkurën në mbrëmje, njoftuan zyrtarët.
Një burim i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë viktima, por bilanci është i paqartë. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e aksidentit. Të gjitha fluturimet nga aeroporti “Regan” janë anuluar, ndërsa helikopterë nga agjencitë e zbaimit të ligjit përgjatë gjithë rajonit shkuan në vendngjarje në kërkim të të mbijetuarve.
Gazeta “Washington Post”, duke cituar burime, raportoi se nga uji janë nxjerrë disa trupa. Sipas gazetës, deri tani nuk ka patur të mbijetuar.
Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.
Miq, familjarë dhe të afërm të pasagjerëve u mblodhën në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” duke kërkuar më shumë informacion.
Një grua i tha një zyrtari të aeroportit, “Nuk e di nëse hipi apo jo në avion”, duke iu referuar dukshëm një pasagjereje në avionin e rrëzuar. Më pas gruaja shpërtheu në lot.
Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë.
Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington tregonin një shpërthim në ajër përgjatë lumti Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale, dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi.
Aeroporti njoftoi të mërkurën se ishin ndëprerë të gjitha fluturimet dhe se personeli i urgjencës iu përgjigj një aksidenti ajror.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikqyrte situatën.
“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, shtoi ai. “Faleminderit të gjithë ekipeve të emergjenvave për punën e jashtëzakonshme që po bëhet. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur”.
Në një postim në mediat sociale, kompania “American Airlines” tha se ishte në dijeni të njoftimeve se një prej avionëve të saj ishte përfshirë në incident dhe se do të jepte më shumë hollësi sapo të ishte e mundur.
Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 5 të pasdites, me orën lokale, të premten. /VOA/
Lexo edhe: