FOTOLAJM/ Klerikë nga e gjithë bota në Tiranë për ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Janullatos, bëhet bashkë politika greke dhe shqiptare

3 Min Read

TIRANË- Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë po mbahet shërbesa e fundit para ceremonisë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Mesha për Kryepeshkopin drejtohet nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse. Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan, i cili u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale si pasardhës i përkohshëm i Janullatos, do të drejtojë ceremoninë e mortore.

Për varrimin e Kryepeshkopit kanë ardhur në Tiranë figurat më të larta të klerit në botë dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse. Një delegacion ka ardhur nga Vatikani me në krye Sekretarin e Shtetit, Pietro Parolin. Në ceremoni merr pjesë, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopi i Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë, etj.  Gjithashtu, në ceremoni kanë ardhur Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj. Mungojnë partiarku i Serbisë dhe Rusisë, ndërkohë që në homazhe ndodhet i pranishëm ambasadori rus në Shqipëri.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, po ashtu është i pranishëm me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar. Përfaqësues të opozitës greke po ashtu janë të pranishëm për ceremoninë e Kryepeshkopit.  

Kjo ceremoni ka bërë bashkë edhe dy drejtuesit e partive më të mëdha politike në vend, kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës, Sali Berisha. Dyshja e kundërshtarëve politikë janë ulur pranë ndërsa mes tyre është kryeministri grek Mitsotakis. Qindra besimtarë janë mbledhur jashtë në oborrin e kishës për ti dhënë lamtumirën kryepeshkopit Anastas. Në ceremoni do të mbahen edhe fjalime nga klerikë dhe dy kryeministrat Rama dhe Mitsotakis. Gjithashtu edhe mbesa e Kryepeshkopit Janullatos do të mbajë fjalimin e saj. 

Trupi i tij do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë. Prej dy ditësh në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet janë mbajtur homazhe për Kryepeshkopin e ndjerë, ku kanë marrë pjesë dhe qindra besimtarë.

Share This Article
Leave a Comment