E vërteta e grabitjes së pronave nga Samir Mane në Palasë, si politika i jep garanci oligarkëve që të pasurohen me pronat e qytetarëve të ndershëm

5 Min Read

Opinion nga Timoni.al

Oligarkia është forma më e keqe e sundimit, ku një grusht njerëzish të pasur dhe me pushtet vendosin fatet e miliona të tjerëve, për interesa të ngushta dhe personale. Shqipëria ka përfunduar nën dominimin e një elite të pasur, e cila kontrollon gjithçka — nga ligjet dhe institucionet deri tek media dhe politika. Në krye të këtij sistemi të ndyrë dhe të korruptuar qëndron Samir Mane, një shembull i qartë i asaj që ndodh kur pasuria dhe pushteti përqendrohen në duar të pakicës.

Një nga projektet më të diskutueshme të Samir Manes është “Green Coast”, resorti luksoz që po ndikohet për shkatërrimin e Palasës, një prej zonave më të bukura bregdetare të Shqipërisë. Për të ndërtuar këtë mega-kompleks, Samir Mane ka shkelur të drejtat e banorëve të ligjshëm, duke grabitur tokat e tyre përmes falsifikimeve dhe vendimeve të paligjshme. Palasa, një fshat me tradita dhe bukuri natyrore, është kthyer në një kantier ndërtimi, ku monumentet natyrore dhe ekosistemet janë shkatërruar për të bërë vend për portet e jahteve, pistat e helikopterëve dhe infrastruktura luksoze të resortit.

Vjedhja e parave publike është gjithashtu një tjetër element i këtij skandali. Paratë e taksapaguesve shqiptarë, veçanërisht të atyre që jetojnë në varfëri, janë përdorur për të financuar luksin e Samir Manes. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka investuar miliona euro për ndërtimin e infrastrukturës që shërben vetëm për të pasuruar një oligark — ndërtimi i portit të jahteve, rrugët private, pista helikopterësh dhe ujësjellësi, janë financuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Kjo është një tradhti e hapur ndaj popullit, një akt që tregon se pasuria dhe pushteti i pakicës janë të shenjta, ndërsa shërbimet bazike për qytetarët janë lënë në harresë.

Tuneli i Llogarasë, i cili duhej të përmirësonte infrastrukturën për të gjithë Shqipërinë, është ndërtuar në kohë rekord për t’i shërbyer kryesisht interesave të Samir Manes. Kjo është një tjetër provë e shndërrimit të qeverisë në një shërbëtore të oligarkëve, ndërsa projekte të tjera të rëndësishme, që do të ndihmonin të gjithë qytetarët, mbeten të papërfunduara dhe të lëna pas dore.

Në një tjetër akt të padrejtësisë, banorët e fshatrave të Lumit të Vlorës janë privuar nga burimet e ujit natyror, të cilat janë marrë nga Samir Mane dhe njerëzit e tij për të furnizuar resortin. Ky veprim ka lënë qindra familje pa një nga burimet më të rëndësishme për jetesën e tyre, duke thelluar pabarazinë dhe varfërinë në këtë zonë. Banorët kanë protestuar, por përballë tyre kanë gjetur dhunë brutale dhe persekutim.

Rojet private të resortit “Green Coast” dhunuan disa kohë më parë Petrit Gjonin, një banor të Dukatit, duke e rrahur brutalisht. Ky akt shpreh qartë se sa larg janë oligarkët dhe shërbëtorët e tyre për të mbrojtur interesat e pasurisë së tyre të paligjshme. Kjo dhunë është një paralajmërim se nesër, në vend të Petritit, mund të jemi secili prej nesh, nëse oligarkët vendosin që diçka që na përket, ta marrin për interesa të ngushta.

Samir Mane dhe oligarkët e tjerë kanë ngritur një sistem të fuqishëm mbi ligjin, ku pasuria dhe pushteti janë përqendruar në duar të një pakice. Ata përdorin këtë pushtet për të kapur institucionet shtetërore, për të pasuruar veten dhe për të shkatërruar natyrën, jetesën dhe të drejtat e qytetarëve të zakonshëm. Në këtë sistem të përqendruar, media, politika dhe shteti janë bërë vegla të oligarkëve, që mbrojnë vetëm interesat e tyre, duke injoruar çdo tjetër interes publik.

Ky është një krim i organizuar ndaj pasurisë natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë, dhe është koha që çdo qytetar të ngrihet dhe të kërkojë drejtësi. Oligarkët janë të paprekshëm vetëm derisa qytetarët i lejojnë të mbajnë pushtetin e tyre.

Share This Article
Leave a Comment