Presidenti Bajram Begaj nëpërmjet një shkrese drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkoi që të caktohen datat për mandatet për sa i takon procesit të përtëritjes së anëtarëve. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili e cilëson këtë si akt i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Akti i pashëmbullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm. Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçarë, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës.” shprehet Bardhi.
Ai nënvizon që me këtë akt Begaj nuk ka suprizuar askënd me rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës. Gjithashtu apelon që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë.
“Me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët. Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë.”, thotë Bardhi.