Seanca për Alqi Bllakon, në lidhje me inceneratorin e Tiranës, është shtyrë, për shkak të mosplotësimit të trupës gjykuese. Seanca e radhës u caktua më datë 13 shkurt ora 14:30.
Sipas Strukturës së Posaçme, në rastin e inceneratorit të Tiranës, Alqi Bllako ka përfituar përmes korrupsionit dy shuma monetare në vlerën 119 mijë euro dhe 7.5 milionë lekë për Vladimir Bezhanin Bllako i ka propozuar Bezhanit të vijonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur ideja e inceneratorit të Tiranës.
Referuar hetimit, për shërbimin e Bezhanit, Bllako i ka kërkuar biznesmenit Klodian Zoto ta punësonte fiktivisht në kompaninë e inceneratorit dhe të siguronte shumën prej 7.5 milionë lekësh. Po ashtu, thotë SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, vlerën monetare prej 119 mijë euro për blerjen e një makinerie për një fabrikë pijesh të babait të tij në Ersekë.